Rinis dueli përhershëm Messi-Ronaldo: argjentinasi mahnit, portugezi thyen rekorde

Sport

Messi-Ronaldo, dueli përhershëm i viteve të fundit që rinisi në distancë në këtë mesjavë të Champions League. Mirëpo nëse portugezi realizoi golin e parë të këtij edicioni evropian, argjentinasi thjesht ndihmoi Barcelonën me klasin e tij. Teksa që në fillim befasoi me praninë e tij si titullar ndaj Interit, ndërkohë që mendohej se do të mungonte gjatë pas një dëmtimi të pësuar. Pavarësisht se nuk shënoi, El Pulce dha kontributin e tij në suksesin e parë të katalanasve në këtë Champions. E të mendosh që ishte vetëm në 50% të formës, të paktën sipas informacioneve që vijnë nga stafi mjekësor i Barcelonës. Në fund të ndeshjes, Leo përveç kënaqësisë për fitoren, ka dashur të theksojë faktin që skuadra është e bashkuar, teksa evidentoi raportin e mirë që ka edhe me Griezmann, ndryshe nga sa flitet.


Nga ana tjetër, Ronaldo me golin e shënuar në minutën e 88-të ndaj Leverkusenit, theu rekorde të tjera në kompeticionin më të madh evropian për klube. Së pari kapi kuotën e 128 golave totalë në historinë e Champions League. Pa harruar edhe shtimin në 33 të koleksionit të skuadrave që u ka shënuar në këtë kompeticion. Vetëm Raul Gonzales ka realizuar, po aq sa portugezi, kurse Messi qendron një hap prapa. Ai konfirmoi edhe ekipet gjermane si “viktima” të preferuara pasi i ka ndëshkuar 27 herë në 25 ndeshje. Gjithashtu, CR7 bëri histori edhe sepse fitorja e së martës që fiksoi Juventusi, ishte e 102-ta për atë si lojtar në Champions League. Arritje që nuk e ka provuar më parë asnjë futbollist deri tani.