Vendimi për të mos u operuar, ka nisur të japë frytet e para për Paul Pogba. Dëmtimi i meniskut të gjurit të djathtë alarmoi ambientin e Juventusit, aqsa nuk munguan zërat se mesfushori nuk do luante më futboll përgjatë vitit 2022.
Mirëpo, ndryshe nga sa pritej, të dhënat duken pozitive. Pogba vendosi që të mos operohej, pasi diçka e tillë do e mbante jashtë fushave të lojës deri në fund të vitit. I këshilluar edhe nga stafi mjekësor, 29 vjeçari vendosi të ndjekë një terapi specifike, duke praktikuar masivisht palestrën dhe notin. Diçka e tillë i mundëson gjurit të fitojë gjendjen e mëparshme, duke shmangur operacionin, e duke bërë të mundur rikthimin në fushë në një kohë më të shpejtë.
Deri më tani gjithçka po shkon sipas planit. Duke u nisur nga kjo ecuri pozitive, mediat italiane raportojnë se francezi mund të rikthehet në fushën e lojës në javën e dytë të Champions League, që përkon me datat 13 dhe 14 shtator. Pak ditë më vonë, do jetë grumbullimi i kombëtareve, por Pogba nuk do përfshihet në listën e lojtarëve të ftuar nga Didier Dschamps. Ish-futbollisti i Manchester United do vazhdojë me procesin e rikuperimit në Torino.
Sa i përket dëmtimeve të tjera në skuadrën e Juventusit, Angel Di Maria pritet të kthehet në fushë në fillim të shtatorit, për ndeshjen nda Fiorentinës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për portierin Szczesny, i cili po ashtu do mungojë ndaj Sampdorias dhe Romës.