Rikthimi i Cristiano Ronaldos në Madrid rezultoi vërtet i hidhur. Portugezi ishte një nga lojtarët e shumëpritur në transfertën spanjolle të Juventusit, pasi rikthehej të luante për herë të parë si kundërshtar në kryeqytetin spanjoll, që pas largimit të verës së kaluar. E si për çudi, e ndjeu jo pak këtë kthim, duke dhuruar një paraqitje zhgënjyese, ashtu si pjesa më e madhe e skuadrës bardhezi. Njeriu “100 milionë euro”, i ardhur me detyrën për të rikthyer pas 23 vjetësh në Torino trofeun me “veshë të mëdhenj” , nuk arriti të konfirmojë traditën, që shihte Atleticon e Madridit, si një ndër viktimat e tij të preferuara me 22 gola në 31 ndeshje.Vetëm një shkëndijë dha portugezi përgjatë 90 minutave. Pikërisht, në rastin e asaj goditjeje dënimi që pas 10 minutash detyroi Oblak të dërgonte topin në goditje këndi.
Gjithçka tjetër ishte për t’u harruar. Nuk ia doli dot as të shënonte qoftë një gol që do t’ia kishte bërë Juventusit më të qetë ndeshjen e kthimit, më 12 mars.
Një nervozizëm i madh e shoqëroi edhe pas ndeshjes kur në zonën miks, iu përgjigj provokimeve që vinin nga disa gazetarë të pranishëm, që duket se ishin simpatizantë të Atleticos. Portugezi bëri gjestin e 5 gishtave, për të treguar numrin e trofeve të Champions League që ka fituar në karrierë. Në të kundërt me Atleticon që nuk arritën të realizojnë asnjëherë ëndrrën e të shpallurit kampion. “Kam fituar 5 Champions, Atletico zero. Unë pesë, Atletico zero”. Tashmë, pas dy javësh, do të duhet të rikthehet Ronaldo i vërtetë, pasi vetëm kështu mund të shmangë edhe dështimin personal, pas 3 sezoneve si kampion i Evropës.