Rikthimi tek titulli kampion, vetëm lajme pozitive në horizont për Milanin

Sport

Vetëm lajme të mira në horizont për Milanin që pas fitimit të kampionatit. Kuqezinjtë, arritën të triumfonin në Serinë A, pas plot 11 vitesh pritje. Megjithatë, duke nisur që nga kjo verë, situata në kampin e gjigantëve të Milanos pritet të jetë më tepër entuziazmuese.

19 herë kampionët e Italisë kanë devijuar nga Investcorp dhe pritet të vihen nën pronësinë e kompanisë amerikane RedBird, të cilët janë të gatshëm të blejnë aksionet e klubit për shifrën e rreth 1.3 miliard eurove. Shumë kjo që do të shkojë në arkat e kompanisë Elliott, që menaxhon momentalisht klubin italian.

Ndërrimi I pronësisë, do të thotë më tepër buxhet për kuqezinjtë në merkato,e po ashtu investime në projektin e një stadiumi të ri. Gjatë afatit kalimtar të verës, Milani pritet të përforcohet në disa reparte. Të paktën 3 objektiva shihen mëse të arritshme dhe konfirmimi i tyre tashmë është thuajse çështje kohe. Fjala është për mbrojtësin Sven Botman, mesfushorin Renato Sanches dhe sulmuesin Divock Origi. Si fillim këto pritet të jenë hapat e para të përforcimit të skuadrës dhe nuk pritet që të ketë ndonjë çmenduri në merkato, të paktën sa I përket kësaj vere.

Në këto kushte, Milani synon të bëhet një ekip që në sezonin e ardhshëm, veç detyrës së mbrojtjes së titullit, të përpiqet të arrijë rezultate pozitive edhe në Champions League. Objektivi është që minimalisht të kalohet faza e grupeve të këtij kompeticioni.

Ndërkohë, drejtuesit po punojnë edhe me organikën e lojtarëve që kanë në dispozicion. Prioriteti është rinovimi i kontratës me Rafael Leaon. 11 golat dhe 10 asistet e tij e ndihmuan tej mase skuadrën kuqezi që të fitonte titullin. Dëshira e vetë lojtarit është që të mbetet në Milano dhe mundësitë janë shumë të mëdha që palët të gjejnë gjuhën e përbashkët për të rinovuar.