Manchester United vazhdon të kërkojë rikthimin e Cristiano Ronaldos në Old Trafford. Gjashtë vite pas largimit për te Reali i Madridit, për shifrat e 94 milionë eurove, ëndrra për rikthimin e portugezit te “Djajtë e Kuq” vazhdon të mbahet gjallë përms spekulimeve të ndryshme të shtypit britanik. “Manchester Evening News” raporton se United, Ronaldon kërkoi ta rikthente që dy vite më parë, kur trajner ishte David Moyes. Pikërisht ky i fundit citohet të ketë thënë se “që në momentet kur mori drejtimin e klubit, kishte pasur bisedime me Ronaldon”. Po kështu shkruan edhe “Daily Mail”.
Spekulimet lidhur me një rikthim të Cristiano Ronaldos te Manchester United-i, bazohen te situatat që po kalon portugezi te Reali i Madridit. 30-vjecari e kishte deklaruar hapur simpatinë e tij për, tashmë ish-teknikun e “Los Blancos” Carlo Ancelottin dhe shkarkimi i tij i trazoi shumë marrëdhëniet e portugezit me drejtuesit klubit.
Nga ana tjetër marrëdhënia me teknikun e ri Rafa Benitez duket e vështirë. Ish-tekniku i Napolit thuhet të ketë në plan për ta aktivizuar si qendërsulmues, në një kohë kur roli i preferuar i Ronaldos dihet që është në krah të sulmit. Këto argumente sikurse edhe videoja e bërë publike ditët e fundit, ku portugezi shfryhet ndaj Benitezit, pasi ky i fundit i anulon një gol në një ndeshje stërvitore, kanë rritur akoma më shumë bazat për të spekuluar për një rikthim të mundshëm të Ronaldos te Manchester United.