Ishte koha kur bota u njoh me kompjuterin e parë personal të krijuar nga IBM-ja. Për herë të parë edhe NASA lëshoi në hapësirë Shatëllin e parë. Pa harruar as daljen në Amerikë të albumit pirat të rimasterizuar të Beatles, “Black Album”… Ngjan sikur ka kaluar një jetë nga ai vit 1981, kur në “Parc de Princes” u luajt për herë të fundit edhe Real-Liverpul në finalen e Ligës së Kampionëve. Përplasja që do të rikthehet sërish pas 37 vjetësh, të shtunën e 26 majit në “Olimpijski” të Kievit.
Nuk bëhet fjalë për ato klasiket e futbollit evropian, ndonëse janë dy prej skuadrave që e kanë fituar më shumë Champions-in (12 madrilenët dhe 5 liverpulasit). Nga njëra anë është ekipi mbretëror, që ka arritur për herë të tretë radhazi deri në fund. E që tashmë synon të trofeun për të tretën herë radhazi. Nga tjetra janë ata, që kanë totalizuar rekordin e golave në kompeticion: 45 në 14 takime që prej fazës eleminatore të gushtit të vitit të kaluar. Reali kërkon të fitojë të 13-n, kurse Liverpuli të rikthehet ta fitojë pas 13 vjetësh, për herë të 6-të.
37 vjet më parë ishin anglezët që triumfuan, me një gol të Kenedi në minutën e 82-të. Këtë radhë historia është e gjitha për t’u shkruar. Vetëm se tifozeritë dhe dashamirësit e futbollit të zjarrtë të Champions League duhet të presin deri të shtunën e 26 majit!