Rikthehet Cikalleshi: Hedh prapa krahëve problemet fizike!

Sport

sokoli

Gati 6 muaj nga goli i tij i fundit zyrtar që kishte shënuar në Turqi, Sokol Çikalleshi i është rikthyer rrugës së rrjetës. Duket se më në fund, sulmuesi kavajas ka hedhur prapa krahëve të gjithë problemet fizike. Dhe ndeshjen e tij të parë si titullar për këtë sezon me fanelën e Goztepe, ia ka dalë ta kurorëzojë edhe me një gol në suksesin 4-0 ndaj Çengelkojspor, e vlefshme për Kupën e Turqisë. Cikalleshi, deri tani kishte luajtur vetëm 38 minuta me skuadrën, të cilës iu bashkua gjatë fundit të merkatos së verës. Si pasojë edhe e dëmtimeve që ka pasur, duhet të vinte nëntorit që ai të bindte trajnerin e Goztepe për t’u aktivizuar që nga minuta e parë në ndeshjen e së enjtes, teksa u shfaq menjëherë tepër aktiv në fazën sulmuese.

cikalleshi

Përpjekjet e tij u shpërblyen me gol gjatë pjesës së dytë të ndeshjes në minutën e 66-të, duke dërguar shifrat e përkohshme të rezultatit në 3-0. Si përfundim, falë fitores së arritur, skuadra e Çikalleshit kaloi në turin tjetër të Kupës turke. Goli i parë i kavajasit ka gëzuar së tepërmi edhe bashkëqytetarin e tij, Andi Lila. Në një postim në Instagram, mbrojtësi ka shprehur lumturinë, thjesht duke shkruar “Goool” mbi foton e Cikalleshit, që feston me shokët e skuadrës turke të Goztepes. Për sulmuesin 28-vjeçar, ky mund të jetë një ogur i mirë, sa i takon vijimit të mbarë të sezonit, por edhe për rikthimin në Kombëtaren shqiptare, ku nuk grumbullohet prej disa muajsh.