Rikthehet këtë mesjavë Champions League, bashkë me emocionuet e fazës së grupeve, që ul siparin në fillim të dhjetorit. Tashmë, të martat e të mërkurat do të jenë maratona të gjata futbollistike, që do t’i ndiqni ekskluzivisht në 5 kanalet e TRING SPORT. Ndryshe nga vitet e mëparshme, gjithçka do të nisë nga ora 18:15 në Studio Champions, me analizat e ndeshjeve që luhen pasdite, për të përfunduar gjithçka afër mesnatës, pas mbylljes së sfidave të orës 21:00. Kjo fazë e grupeve sjell Barcelonën, Real Madridin dhe Porton si skuadrat me më shumë pjesëmarrje që kur kompeticioni njihet me emrin ‘Champions League’: plot 23 herë, nga 26 edicione të zhvilluara deri tani. Teksa debutuese janë Crvena Zvezda, Hoffenheim dhe Young Boys. Si pasojë, numri i klubeve me të paktën një prezencë në këtë fazë mbërrin në 140.
Kurioz është fakti se Shqipëria është një ndër 22 vendet që nuk kanë mundur të dërgojë ende një skuadër në këtë fazë të turneut më elitar të futbollit në Evropë. Real Madrid mban rekordin e numrit më të madh të pikëve të mbledhura, golave të shënuar dhe kualifikimeve të arritura në këtë fazë. Pa harruar se do të nisë edhe një sfidë e re në distancë, midis Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, autorë të deritanishëm të 60 golave në grupe. Për më tepër, portugezi është i vetmi që ka mundur të shënojë 11 herë brenda 6 ndeshjeve të kësaj faze, saktësisht në sezonin 2015-2016. Ndërkohë, Iker Casillas është lojtari me më shumë ndeshje në këtë fazë të Champions League (89), teksa nis sezonin e tij të 20-të si protagonist i kompeticionit më prestigjoz të futbollit kontinental.