Rikthehen ethet e Champions League, debuton VAR-i

Sport

uclvar.jpg

Pritja ka mbaruar. Rikthehet Champions League. Pas fazës në grupe, tashmë nis ajo e zjarrta, me eliminim direkt. Pas dy muajve letargji, për klubet më të mira të kontinentit fillon prova e vërtetë. Gjithcka do ta ketë zanafillën ekskluzivisht në kanalet TRINGSport, të martën në mbrëmje, me dy sfidat hapëse. Më shumë tërheq vëmendjen, ajo Manchester Junaited – Paris Sënzhërmen në “Old Traford”. “Djajtë e kuq” të pamposhtur që prej ardhjes së Solskjaer, në testin përballë kampionëve francezë, të cilëve vijnë me jo pak probleme. Pas Neymar, në fundjavë u dëmtua edhe katalizatori i sulmit, Edison Kavani. E kështu, trajnerit Tuchel i duhet të mbështetet vetëm tek Mbappe, apo Di Maria, me objektivin për të dalë me një rezultat sa më pozitiv nga “Teatri i Endrrave”. Në po të njëjtën mbrëmje, Roma pret Porton e Sergio Konseisaos, me teknikun portugez që do të rikthehet të përjetojë një “derbi roman”, si ish-lojtar i Lacios. Ndërsa kampionët iberikë vijnë edhe si një nga skuadrat që nuk njohin humbje në këtë edicion të Champions. Aty ku verdhekuqtë nga ana tjetër duan të provojnë të përsërisin atë që bënë sezonin e kaluar, kur shkuan deri në gjysmëfinale.
E mërkura do të jetë e kampionëve në fuqi, Realit të Madridit, që vjen nga 5 fitore në La Liga për të treguar stofin evropian në sfidën me Ajaksin befasues. Ndërsa ndeshja tjetër rezervon një Totenham-Borusia Dortmund krejtësisht për t’u shijuar, përderisa vihen përballë një prej 3 skuadrave më të mira të Premier League dhe kryesuesve të Bundesligës gjermane. Mbi të gjitha kjo fazë e Champions do të ketë një risi historike: VAR-in. I shumëpritur është debutimi i teknologjisë në ndihmë të gjyqtarëve. Risi, e përdorur në Botërorin ‘Rusi 2018’, por që u aprovua nga UEFA vetëm pas presionit të madh të klubeve. Ka qenë e pamundur të ndalohet ingranimi në fushë i teknologjisë pas gabimeve të bujshme të verifikuara në edicionet e fundit të kompeticionit më të rëndësishëm evropian. Roberto Rosetti, shefi i arbitrave të UEFA-s, ka konfirmuar konceptet bazë: do të përdoret vetëm në rast të një gabimi të qartë; për pozicionet jashtë loje, apo faullet brenda ose jashtë zonës së rreptësisë. Megjithatë, duke mos e tepruar, pasi synimi është që teknologjia të përdoret vetëm kur të jetë e domosdoshme.