Kroatët e Rijekas presin në shtëpi Olympiacosin, me shpresën se tifozët e tyre do jenë shtysa e duhur për t’u dhënë kualifikimin për në fazën në grupe të UEFA Champions League. Në Karaiskakis ata e panë veten të përmbyseshin 2-1 me grekët që realizuan vetëm në sekondat e fundit të kohës shtesë. Ishte Heber që realizoi për ta në pjesën e parë, ndërsa në të dytën pas golit të Vadis Odjidjia, Rijeka mbeti me 10-të lojtarë. Kështu Leonard Zuta do të mungojë në sfidën e kthimit për shkak të dy kartonëve të verdhë të marrë në Karaiskakis, në mëdyshje është edhe Zoran Kvrzic, ndërsa për skuadrën e Besnik Hasit nuk ka mungesa. Olympiacos nga ana e saj synon të marrë pjesë për herë të 18-të në fazën në grupe të Champions League-ës, ndërsa Rijeka nuk ka qenë ndonjëherë në të tilla nivele. Për t’ia arritur atyre u duhet të çbëjnë golin e Romaos, ndërsa interesante është se asnjëra prej të dyja skuadrave s’i ka provuar ndonjëherë goditjet e penalltive. E njëjta situatë me po të njëjtin synim për të çbërë një rezultat 2-1 të ndeshjes së parë, paraqitet edhe në përballjen Maribor-Hapoel Beer-Sheva. Në ndeshjen e parë të luajtur në Izrael, 14 herë kampionët e Sllovenisë u përmbysën për 35 minuta. Festa e golit të Tavares nuk zgjati shumë, sidoqoftë ndeshja e kthimit pritet të jetë ndryshe. Nga ana e saj Beer-Sheva është vetëm 90 minuta larg debutimit në Champions League, por Maribori nuk humbet në shtëpi prej 6 ndeshjesh evropiane dhe përvoja në këto nivele është aseti ku ata besojnë më së tepërmi. Shqetësimi i vetëm për ta është gjendja e sulmuesit Luka Zahovic, i cili u lëndua në fitoren 3-2 ndaj Krskos në kampionat.