Rifillimi I sezonit, ja rregullat e reja që po mendon FIFA

Sport

Për shkak të pandemisë Covid 19-të, të gjitha aktivitetet sportive, por jo vetëm, janë pezulluar për një kohë të pacaktuar. Pjesë e kësaj bashkësie është edhe futbolli. Synimi është që skuadrat t’i rikthehen sërish fushës së lojës sa më shpejtë të jetë e mundur, pasi edhe koha nuk premtom më tepër, sepse në këto rrethana do të prekej seriozisht edhe edicioni i ardhshëm. Organet përkatëse janë duke punuar në mënyrë që të gjendet një zgjidhje sa më e përshtatshme. Duke qenë se nuk luhet prej më shumë se një muaj, tashmë lojtarët kanë nevojë për një fazë përgatitore të plotë për të arritur kushtet e duhura fizike. Mirëpo, nuk pëjashtohet as mundësia, që futbollistët të hasen me probleme, pasi duhet që ndeshjet e mbetura të këtij sezoni t’i luajnë çdo 2 ditë. Në këto rrethana, për të shmangur dëmtimet, e për të bërë që lojtarët të kenë sa më tepër “frymëmarrje”, FIFA ka propozuar që gjatë një ndeshje klubeve t’i jepet mundësia të kryejnë nga 5 ndërrime dhe jo 3 sikurse është për momentin. Madje, nëse shkohet në shtesë, të kryhet edhe një zëvendësim i 6-të. Kjo lëvizje do t’u mundësonte trajnerëve t’i alternonin më shumë lojtarët e tyre, duke pasur në këtë mënyrë më tepër mundësi që të “freskojnë” skuadrën. Të shohim në ditët e ardhshme, nëse ky propozim do të bëhet zyrtar. Çështja që për momentin ngre më shumë pyetje është ajo e rifillimit të sezonit, pasi ende nuk po arrihet në një datë përfundimtare se kur skuadrat të rikthehen në stërvitje. Deri më tani, vetëm Eredivise ka anulluar edicionin, ndërsa në ligat e tjera, pritet drita jeshile që ekipet të zbresin në tapetin e blertë.