Richards vlerëson Rashford, thotë se tek City do të kishte shënuar më shumë gola

Sport

Manchester City arriti një fitore mjaft të rëndësishme në derbi, por kjo erdhi jo vetëm për shkak të formës së mirë të lojtarëve të Guardiolas. Manchester United bëri një paraqitje të shëmtuar, ku vetë Rashford mund të dalë pa u kritikuar. Sulmuesi i ‘djajve të kuq’ shënoi golin e vetëm të sfidës për skuadrën e tij, duke treguar sërish se mbetet lojtari më i rëndësishëm i këtij ekipi. Por nëse Rashford do të luante në një skuadër tjetër në Angli, atëherë për të do të flitej akoma më shumë. Këtë mendon legjenda e Manchester City, Micah Richards. Ish-lojtari i ‘citizens’ u shpreh se Rashford është i vetmi lojtar që meriton të luajë tek United në këto momente.

Ndonëse në radhët e ekipit të Solskjaer ka shumë lojtarë cilësorë, Richards u shpreh se pjesa më e madhe e tyre nuk japin më të mirën në fushën e lojës. Sipas tij, nëse Marcus Rashford do të luante për Manchester City, atëherë sulmuesi anglez do të shënonte pa problem më shumë se 40 gola në sezon. Richards theksoi se Rashford është një nga sulmuesit më të kompletuar për momentin në Angli dhe nëse në mbështetje të tij do të vinin lojtarë si De Bryune, Sterling apo Bernardo Silva, atëherë ai do të listohej mes golashënuesve më të mirë të Europës. Gjatë këtij sezoni, Rashford numëron 29 ndeshje me Manchester United në të gjitha kompeticionet, ku ka arritur të shënojë 17 gola e të shërbejë 5 asiste.