Franck Ribery zyrtarizoi më në fund skuadrën e tij të re, duke pranuar të firmosë një kontratë 2-vjecare me skuadrën e Serisë A, Fiorentinën. 36-vjeçari do të ketë pagë vjetore prej 4 milionë eurosh, plus disa bonuse që nuk janë zbuluar. Francezi është shprehur se ndjehet i bekuar dhe i lumtur që ka nënshkruar kontratë me një klub të shkëlqyeshëm, që është pjesë e një qyteti madhështor. “Një kapitull i ri po nis për mua dhe familjen time. Jam i bekuar dhe i lumtur që po nënshkruaj kontratë të re me një klub të madh dhe në një qytet mjaft të bukur. Mezi presim të takohetm me shokët e mi të rinj të skuadrës dhe të gjithë tifozët fantastikë. Bisedova me drejtuesit e Fiorentinës javën e kaluar e menjëherë u binda”, deklaroi mesfushori ofensiv francez, i cili pranoi edhe se ish-bashkëlojtari i tij Luca Toni e kishte nxitur që t’i bashkohej Fiorentinës.
Pasi kaloi 12 vjet te Bayern Munich, ku fitoi nëntë tituj në Bundesligë dhe një në Ligën e Kampionëve, Ribery ishte lojtar i lirë pasi kontrata e tij skadoi në qershor. Kështu që ka zgjedhur klubin e drejtuar tashmë nga italo-amerikani Rocco Commisso, si destiancionin e tij të ardhshëm. Ndërsa do ta mbajë sërish fanellën me numrin 7 këtë edicion, megjithëse fillimisht atë e kishte zgjedhur një tjetër blerje e re e vjollcëve, siç është Erick Pulgar. Për 36-vjeçarin ka pasur interes të fortë nga disa skuadra në Arabinë Saudite, si dhe Lokomotiva Moskës në Rusi, por preferoi të mbetet në futbollin e madh evropian.