Rezultoi pozitiv në testet anti-doping, Paul Pogba pret të mësojë masën ndëshkimore

Sport

Dita kur Paul Pogba do të përballet me drejtësinë, do të jetë shumë e afërt. Diasa javë më parë, mesfushori rezultoi pozitiv në testet anti-doping, e kësisoj rrezikon një skualifikim 4 vjeçar nga futbolli, që nëse ndodh, atëherë për lojtarin në fjalë, do të ishte thuajse fundi i karrierës.

Por, sikurse raportojnë mediat përtej detit, dënimi mund të jepet edhe i përgjysmuar, pra vetëm për dy vite. Kjo mund të ndodhë, nëse Pogba pranon fajin. Ndryshe, nëse personazhi në fjalë nuk ia del që të bind drejtësinë se substanca e marrë prej tij kishte ndodhur në mënyrë të pavullnetshme, atëherë, dënimi pritet të jetë maksimal.

Pasi të ketë mësuar dënimin, Pogba mund të reagojë edhe nëpërmjet rrugës ligjore, teksa mund të nisë një proces gjyqësor, 40 ditë pasi fillimisht të merret një vendim.

Sido që të shkojë, Pogba nuk shpëton dot nga sanksionet dhe nga ana tjetër ky është një problem më vete për Juventusin. I rithyer në Torino në verën e 2022-shit, Pogba nënshkroi një kontratë 4 vjeçare dhe në një situatë të tillë, nuk përjashtohet mundësia që klubi bardhezi të ndërpresë marrëveshjen me ish-futbollistin e Manchester United, i cili paguhet më tepër se 8 milionë euro në sezon. Thënë këtë, Zonja e Vjetër nuk mund të rrezkojë dhe të paguajë me shumë kaq të lartë, një lojtar që as nuk e ka në dispozicion.

Për momentin, Paul Pogba nuk po stërvitet me skuadrën e Juventusit, por është duke kryer seanca përgatitore në shtëpinë e tij në Torino.