Rezultate të papritura në La Liga përgjatë javës së 30-të

Sport

Java e 30-të ka prodhuar rezultate të papritura në kampionatin Spanjoll. Përgjatë këtij sezoni futbollistik, Valencia nuk kishte fituar dot asnjë ndeshje në transfertë, ndërsa këtë gjë e bëri në Santiago Bernabeu, duke fituar ndaj Real Madrid me rezultatin 2-1. Po ashtu, ky ishte suksesi i parë i valencianëve në Bernabeu që nga viti 2008. Në këtë mënyrë, kjo humbje, u duk mjaft e rëndë për Realin, pasi një fitore e Barcelonës ndaj Betisit, do ta dërgonte diferencën në 6 pikë. Megjithatë nuk ndodhi kështu. As katalanasit nuk mundën të fitonin dot në javën e 30-të. Por ndryshe nga Reali që e humbi takimin, skuadra e Hansi Flick nuk shkoi më tepër se një barazim 1-1 me andaluzianët në shtëpinë e tyre. Kështu, Barcelona është ngjitur në kuotën e 67 pikëve në La Liga, 4 më tepër sesa Real Madrid i vendit të dytë. Skuadra tjetër që ka përfituar në maksimum nga një situatë e tillë, është Atletico Madrid. Los Rojiblancos korrën një sukses mëse të rëndësishëm, duke fituar 2-1 në fushën e Sevillas. Pavarësisht se duket e vështirë, Atletico tashmë ka shkuar në 60 pikë dhe kreu është 7 pikë larg. Një njëfarë mënyre, ekipi i drejtuar nga trajneri Diego Simeone, mund të konsiderohet i rikthyer në garë për titullin kampion.