Mediat spanjolle kanë filluar ta shohin Rey Manaj kyçin, për zgjidhjen e mundshme të problemeve që Barcelona është duke shfaqur në sulm. Alarmi është ngritur sidomos për ndeshjen e kthimit kundër Napolit në Champions League. Atëherë kur parashikohet që trajneri i katalanasve, Setien të ketë në dispozicion vetëm 11 futbollistë të ekipit të parë, si dhe portierin rezervë. Prandaj, për takimin e kthimit i duhet të mbushë radhët e ekipit të tij me lojtarë nga Barcelona B. Kështu, në një situatë të tillë, emri i Rei Manajt qarkullon gjerësisht si një nga alternativat e mundshme për të qenë sëpaku në dispozicion të skuadrës së parë.
Konkretisht, e përditshmja sportive “El Mundo Deportivo”, që njihet për lidhjen me klubin katalanas, ka nxjerrë në pah faktin se si Manaj, ndonëse nuk ka debutuar ende me skuadrën e parë, është futbollisti me më tepër eksperiencë mes atyre që janë pjesë e skuadrës B. Prandaj konsiderohet si një nga zgjidhjet e mundshme, sa i takon afrimeve që do të bëjë Settien në shërbim të ekipit të parë.
Sulmuesi 23-vjeçar shqiptar u afrua gjatë merkatos së dimrit nga Albacete, e cila përfitoi 700 mijë euro plus 2 milionë të tjerë ekstra në varësi të paraqitjeve të lushnjarit. Me një CV të gjerë në të kaluarën e tij, kur arriti të debutonte edhe në Serinë A me Interin, Manaj në këtë sezon ka arritur të shënojë 3 gola gjatë 10 ndeshjeve me Albaceten, plus 1 tjetër në 4 ndeshje aktivizim me Barcelonën B. Kurse gjatë kampionatit të kaluar arriti të realizojë 7 gola në 30 ndeshje me Albaceten. Jo më larg se pak javë më parë, Setien e grumbulloi për ndeshjen që Barcelona luajti ndaj Getafes, gjithsesi pa i dhënë mundësinë që të debutojë në “Kamp Nou”. Afrimi i kushtëzuar i Martin Breithuejt, i cili mund të përdoret vetëm në La liga, mund t’i jep shanse Manajt, sa i takon ndeshjeve të Champions, sidomos duke parë situatën emergjente në sulmin katalanas.