Praktikisht është gjithçka e përfunduar për transferimin e Rey Manajt nga Albacete te Barcelona B. Prej disa ditësh, sulmuesi shqiptar ka gjetur akordin me gjigantin spanjoll dhe që të mërkurën pritej të zbarkonte në Catalonia për të konkretizuar lëvizjen e shumëpërfolur.
Mirëpo, nga sa raportohet prej spanjolleve “Sport” dhe “Besoccer.es”, një virus në vesh e ka penguar shqiptarin të fluturojë drejt Barcelonës në ato ditë. Stafi mjekësor i skuadrës katalanase i ka rekomanduar sulmuesit të jetë i durueshëm dhe të kalojë problemin, që nuk është edhe aq serioz. Por në fund të kësaj jave, ai do të kalojë vizitat mjekësore në ambientet e “Ciudad Esportiva del Barca”, teksa më pas do të firmosë kontratën e re në zyrat e klubit të Camp Nou, duke u bërë me të gjitha efektet një lojtar i skuadrës së dytë “blaugrana”. Mësohet se do të jetë një operacion huazimi, që përfshin edhe opsionin e blerjes në fund të sezonit.
Manaj nuk është stërvitur me Albacete të martën dhe të mërkurën e javës që lamë pas, pavarësisht se ishte në qendrën stërvitore të skuadrës. Sinjal tjetër ky që shqiptari praktikisht i ka dhënë lamtumirën shokëve të tij të Albacetes. Manaj, autor i 3 golave në 11 ndeshje të këtij sezoni, do të bashkohet kështu me ekipin B të Barcelonës, duke pasur ambicjen e madhe për të synuar më pas kalimin te ekipi i parë. Mision ky që natyrisht do të jetë jo i lehtë…