Marko Reus nuk ka ndërmend të lërë Korenë e Jugut që të pengojë Gjermaninë për të avancuar në fazën e të tetave të finaleve të Botërorit. Sidomos tani që kampionët e botës në fuqi e shpëtuan lëkurën e tyre në limitet e mundshme të ndeshjes kundër Suedisë. Tashmë gjermanëve u duhet një fitore me të paktën dy gola avantazh të mërkurën ndaj aziatikëve që të jenë të sigurtë për kualifikimin. Teksa pas humbjes së premierës kundër Meksikës duket sikur e morën veten falë atij suksesi me përmbysje ndaj Suedisë në shtesë. Gjithsesi, Reus thotë se duhet bërë kujdes edhe ndaj korenavë, që janë një skuadër e shpejtë dhe që mund të krijojnë probleme për cfarëdo skuadre. “Por besoj se me shumë mundësi Koreja do të mundohet të kopjojë Meksikën, duke përdorur kundërsulmet. Ndërsa do të përpiqen të jenë solidë në mbrojtje. Sidoqofë, unë jam i bindur që nëse luajmë siç dimë, me stilin, cilësinë dhe pasionin e treguar ndaj Suedisë, atëherë mund të fitojmë pa probleme”, ka deklaruar lojtari i Borusias së Dortmundit, për të cilin ky Botëror është një mundësi revanshi, pas fatit të keq që e ka shoqëruar sa i takon dëmtimeve.
Ai ishte tepër vendimtar për Gjermaninë në përballjen e së shtunës së kaluar, kur me golin e tij barazoi ndeshjen në fillimin e pjesës së dytë. Ndërkohë që mund të thuhet se dha kontribut edhe në kombinimin që pati me Kroos në golin e fitores. Duket se paraqitja e bërë do të bindë Loë për ta konfirmuar sërish titullar. Duke i zënë vendin Mesut Ozil, i cili u shfaq zhgënjyes në sfidën kundër Meksikës. Reus ka dashur të japë mbështetjen e tij për turko-gjermanin, teksa është shprehur se ai mbetet një nga lojtarët më të mirë në botë. “Jemi të gjithë një skuadër, pavarësisht se kush zbret në fushë. Ozil është tepër i rëndësishëm për ne dhe jam i bindur se shpejt do të tregojë cilësitë e veta në këtë Botëror”, ka mbyllur Reus. Grupi F ku bën pjesë Gjermania, është një nga më të ndërlikuarit për momentin, pasi një fitore e gjermanëve e shoqëruar me mposhtjen e Suedisë nga Meksika, mund të sillte një situatë ku 3 skuadra – që do të kishin të gjitha nga 1 fitore me njëra-tjetrën -, do të gjendeshin me 6 pikë. Në këtë rast, të kualifikuarat do të vendoseshin nga diferenca e golaverazhit. E nëse është e nevojshme mund të arrihet deri tek kriteri i numrit më të vogël të kartonave të verdhë që janë marrë.