Rënia e mbretërisë së Realit pas 3 vitesh dominim!

Sport

rmd
Fundi i një cikli, në mënyrën më mizore të mundshme. Reali i Madridit përjetoi mbrëmjen më të errët evropiane të 3 viteve të fundit, në ndeshjen dhe fazën e Champions League, ku më pak pritej. E për tepër ishte një shuplakë e fortë, sepse erdhi pas atyre që ishin marrë në dy “El Clasico”-t brenda 3 ditëve ndaj Barcelonës. Pëballë Ajaksit u shkërmoq edhe objektivi i fundit i mbetur, duke pasuar dështimin në Kupën e Mbretit dhe shpërdorimin e mundësisë për të rihapur garën e kampionatit. “Los Blancos” ranë nga froni i sallonit më fisnik të futbollit kontinental më shpejt nga sa mendohej dhe pas më shumë se 1000 ditëve mbretërimi aty. Gjithmonë në vitet e fundit kishin arritur të shkonin minimumi në katërshen më të mirë të Evropës. Për herë të fundit ishin eleminuar nga Juventusi, në gjysmëfinalen e vitit 2015. Situata ngjan nga ato alarmantet, megjithëse drejtori sportiv, Emilio Butragenjo është përpjekur ta zbusë disi duke thënë: “E dimë se cfarë kanë dhënë këta lojtarë për Realin. Ja që nuk mund të fitohet gjithmonë…”.

karim benzema toni kroos referee real madrid ajax champions league 050319 xy04q49rzf4t122798o6ily33
Mirëpo faktet tregojnë se të martën, gjithcka arriti pikën ndoshta më të ulët edhe të të gjithë historisë madrilene. Vetëm një herë më parë, Reali kishte dalë jashtë fazës me eleminim direkt në një kompeticion evropian, pasi kishte fituar takimin e parë në transfertë: pikërisht ndaj Odenses në Kupën UEFA 1994-1995. Por kurrë nuk kishte pësuar një 1-4 në “Bernabeu” sa i takon Kupave të Evropës. Për më tepër, u regjistrua humbja e katërt radhazi në shtëpi (me vetëm 2 gola të shënuar e 10 të pësuar) gjë që nuk ndodhte që prej vitit 2004. Shifra jo të denja për Realin. Të paktën jo për atë që 8 muaj më parë frikësonte Evropën. Por që atëherë kishte edhe një Cristiano Ronaldo plus.