Renato Sanches drejt Milan?!

Sport

Në orët e fundit të merkatos së janarit, Milani tenton të sjellë në San Siro një futbollist mjaft të komentuar përgjatë viteve të fundit. Fjala është për Renato Sanches, i cili që prej gushtit të 2019-tës, aktivizohet në rradhët e francezëve të Lillë. Paraqitjet pozitive të portugezit në tapetin e blertë, kanë bërë që të jetë sërish në qendër të vëmendjes së klubeve më të zëshme të kontinentit. Kuqezinjtë e Milanos, janë hedhur në sulm për këtë lëvizje, duke dashur të plotësojnë vendin e Franck Kessie, i cili ka vendosur të mos e rinovojë kontratën, teksa në fund të sezonit do të largohet me parametra zero. Në këtë mënyrë, drejtuesit e klubit italian janë të bindur se lojtari që plotëson kushtet për të zëvendësuar denjësisht rolin e Kessie, është pikërisht Renato Sanches. Në fakt, duke qenë se nga merkatoja e janarit kanë mbetur vetëm edhe disa orë deri në mbyllje të saj, mediat përtej Adriatikut raportojnë se tratativat me Lillë duken disi të komplikuara, pavarësisht se Milani ofron deri në 25 milionë euro për të siguruar shërbimet e portugezit. Mirëpo koha tanimë rrjedh kundër kuqezinjve dhe në të tilla rrethana, këtë operacion do provojnë ta mbyllin në merkaton e verës, aty ku Renato Sanches do jetë një ndër objektivat e tyre kryesore për të transferuar në San Siro.