Reja pranon që sugjeroi lojtarin shqiptar për Napolin

Sport

Përballë Juventusit, Marash Kumbulla festoi 20-vjetorin me një praraqitje të vërtetë prej veterani. Jo më kot ka ndezur interesimin e disa kluneve italianë dhe evropianë. Megjithatë, mbrojtësi qendror i formacionit të Juric – produkt i sektorit të të rinjve të Veronës – ka zgjedhur që për momentin të mbetet në Verona. Sa i takon të ardhmes së tij, me shumë mundësi do të flitet vetëm në fund të sezonit. Ndërkaq, Edy Reja për shtypin italian dhe gazetën “L’Arena” ka zbuluar se ka qenë ai që ia ka sugjeruar Napolit, por për momentin Kumbulla ka preferuar të refuzojë.
“Po, e pranoj që u kam thënë drejtuesve të klubit të De Laurentis për të marrë Kumbullën. Ai është futbollist i kompletuar: zotëron kohë perfekte, është i fortë fizikisht dhe mbi të gjitha një djalosh me seriozitet ekstrem. Mirëpo për momentin, ai ka preferuar të mos japë përgjigje”, rrëfeu tekniku i Kombëtares shqiptare, i cili ndër të tjera pohoi se lojtari shqiptar duhet të shkonte te Juventusi që dy vite më përpara, por drejtuesit e Veronës dhe familja e Kumbullës kishin preferuar që të mbetej me verdheblutë, në mënyrë që të rritej më i qetë.
Duke folur më tej për Kombëtaren e Shqipërisë, Reja ka pranuar se në të vërtetë se përfaqësuesja që drejton ka pak probleme në mesfushë. Megjithatë, ai shpreson që vështirësitë t’i mbulojë përmes punës së palodhur.