Reja me superlativa: Shqipëria s’ka luajtur kurrë kaq mirë

Sport

Tekniku italian i Shqipërisë, Eddy Reja ka folur ekskluzivisht për faqen “Tuttomercatoueb”, duke prekur disa tema mbi përfaqësuen kuqezi, teksa ka komentuar edhe ecurinë e disa lojtarëve shqiptarë që luajnë në Serinë A. Fillimisht ka pranuar se Elseid Hysaj nuk e po e ndjen faktin që s’aktivizohet me Napolin. “Shënoi vërtet një gol të bukur ndaj Islandës. Por dua të zbuloj edhe se në Kombëtare po luan në një pozicion të ri në mesfushë. Dhe di të them se po e tregon se është tepër i zoti, edhe në atë rol”, rrëfeu së pari Reja. Nuk mund kalojë pa u vënë re as progresi i Gjimshitit, sidomos në paraqitjet në kampionat me Atalantën, pasi debutimi në Champions League ishte plotësisht për t’u harruar. “Beratin kam pasur mundësinë ta stërvis edhe disa vite më parë kur isha te Atalana. Por tani është më i pjekur dhe po bën paraqitje më shumë se të mira. Gjithmonë është një nga më të dalluarit e skuadrës së tij”, deklaroi trajneri, për mbrojtësin qendror.


Duke kaluar te situata e Shqipërisë në grupin eleminator të Evropianit, tekniku kuqezi pohoi se fitorja me Islandën ka rindezur shpresat për një kualifikim të mundshëm. Megjithëse tashmë, kuqezinjtë i pret transferta e vështirë në Turqi. “Duhet patjetër ta fitojmë ndeshjen e radhës me turqit. Përndryshe, do të jetë çdo gjë e pamundur… Por Turqia në shtëpi ka thyer Francën, prandaj është një fushë tepër impenjative. Mirëpo, kurrë nuk ka rezultat të sigurtë. Gjithmonë vijnë befasitë, sic ndodh edhe në kampionatin italian”, ka pranuar Reja. Sidoqoftë, ai ka theksuar faktin se stafi teknik dhe lojtarët e Kombëtares shqiptare po bëjnë një punë të mirë. Ndërsa ka dashur të evidentojë meritën e tij të afrimit të disa lojtarëve të rinj, që kanë rezultuar zgjedhje të goditura. Sipas Rejës, e rëndësishme është që skuadra po bën progres, q sa në Shqipëri po thuhet se nuk e kanë parë kurrë Kombëtaren të luajë një futboll të tillë. Por ai shpreson që skuadra që drejton të bëjë shumë më tepër.