Në një intervistë të dhënë për “Radio Marte” në Itali, trajner i Kombëtares kuqezi, Edy Reja ka folur edhe për Elseid Hysajn. Në një farë mënyre e ka këshilluar se çfarë duhet të bëjë shkodrani, sa i takon të ardhmes së tij:
“Mendoj se Hysaj dëshiron të qëndrojë te Napoli. Shumë shpejt ai pritet të rikthehet në dispozicion të Ancelottit, i cili kërkon të shfrytëzojë së tepërmi të gjithë lojtarët që ka në dispozicion. Napoli është një skuadër e shkëlqyer që luan çdo tre ditë dhe ka të domosdoshme rotacionin. E pikërisht në këtë moment, Hysaj mund të jetë i vlefshëm për skuadrën napoletane. Nëse nuk bën ndryshime në formacion, duke luajtur gjithmonë me intensitetin e duhur për të fituar, rrezikon që lojtarët t’i kesh krej të lodhur në fund të sezonit”, u shpreh fillimisht 74-vjecari. Gjithashtu, ai duke folur më në imtësi për Hysajn, nuk ka harruar të prekë edhe sesi e ka parë mbrojtësin e Napolit gjatë periudhës që e ka drejtuar në Kombëtare: ”
Për më tepër, te Shqipëria, Hysaj po jep një rendiment të jashtëzakonshëm. Madje ka bërë paraqitje që vërtet nuk i prisja. Unë po aplikoj kryesisht mbrojtjen me 3 lojtarë dhe ai ka pasur detyrën për të mbuluar të gjithë krahun. Madje ndaj Islandës shënoi edhe një gol shumë të bukur që vërtet nuk e prisja”, ka treguar Reja.
Aktualisht, mbrojtësi shkodran vazhdon të qëndrojë jashtë fushave që prej ndeshjes me Torinon dhe po zhvillon fazën e riaftësimit. Por nga java e ardhshme pritet të jetë i gatshëm për Ancelottin.