Rei Manaj e Memushaj me klube të reja

Sport

rei
Rei Manaj mund të quhet me plot gojën një futbollist i Albacete, ekip i Segunda Division në Spanjë dhe ku sulmuesi firmosi pak ditë më parë. 21-vjeçaru i përfaqësueses shqiptare bëri dhe prezantimin zyrtar, pasi ka kryer vizitat mjekësore me skuadrën e re. Fillimisht ishte zëvendëspresidenti i klubit, Viktor Varela, ai që prezantoi si një nga talentët më premtues sa i takon futbollit në Evropë. Kurse vetë Manaj në deklaratën e bërë pranoi se kishte pasur edhe oferta të tjera, por kishte zgjedhur Albaceten, ku shpresonte të kishte më shumë hapësira duke u aktivizuar rregullisht. “Mund të them se gjatë sezonit të kaluar te Granada, gjithçka shkoi mirë. Jam një futbollist i ri dhe e rëndësishme është të fitosh besim, gjë që arrihet duke luajtur shumë ndeshje. Kisha mundësinë që të shkoja në klube të tjera, por jam shumë i lumtur që bëra këtë zgjedhje. Mbi projektin e klubit ka shumë pritshmëri, prandaj ndihem gati për këtë aventurë. Nuk kam qejf t’i caktoj vetes shifra golash që dua të shënoj. E rëndësishme është të bëj një sezon të mirë , duke arritur objektivat personalë dhe ato të Albacetes”, ishin fjalët e lojtarit shqiptar.

memushaj
Ndërkohë, edhe një tjetër nga legjionarët kuqezi, si Ledian Memushaj, ka përcaktuar të ardhmen e tij. Vlonjati është përsëri pjesë e klubit të Peskarës në Serinë B, nga ku u largua vetëm një vit më parë për të qëndruar në Serinë A me fanellën e Beneventos. Dy klubet kanë gjetur akordin mes tyre, duke kthyer përsëri mesfushorin e përfaqësuese shqiptare të peskarezët, aty ku mbante shiritin e kapitenit. Vetë klubi i kategorisë së dytë italiane, ka zyrarizuar mbylljen me sukses të negociatave dhe i ka uruar kthimin në “shtëpi”. Me rënien e Beneventos nga Seria A, klubi vendosi të shiste shqiptarin dhe për të, Peskara mbeti zgjedhja e parë duke llogaritur lidhjen që kishte krijuar me drejtuesit dhe tifozerinë.