Refuzoi Arabinë Saudite, lojtari i Napolit pranë rinovimit të kontratës

Sport

Matteo Politano është shumë pranë rinovimit të kontratës me Napolin. E ardhmja e mefushorit me tipare sulmuese, është diskutuar jo pak përgjatë kohëve të fundit, në drejtim të të cilit nuk kanë munguar edhe ofertat nga Lindja e Mesme, me kontinentin aziatik që është kthyer në tokën premtuese për shumë futbollistë të njohur, sidomos përgjatë vitit të fundit.

Megjithatë, mesa duket, Politano është një prej të paktëve futbollistë që e kanë refuzuar tranferimin në ligën saudite të futbollit. Sikurse shkruajnë mediat italiane, lojtari në fjalë ka vendosur të vazhdojë të luajë me Napolin, edhe për disa sezone të tjera. Sikurse bëhet me dije, pritet që së shpejti, Politano të rinovojë kontratën me skuadrën kampione në fuqi të Italisë, deri në vitin 2027, teksa në brendësi të marrëveshjes do të ketë edhe një përmirësim të termave financiarë. Bëhet fjalë për një pagë prej 3 milionë eurosh në sezon, diçka që te ka bindur 30 vjeçarin që të mbetet pjesë e organikës së kaltër.

Matteo Politano është kthyer në një element të rëndësishëm për Napolin përgjatë sezoneve të fundit. Këtë edicion, në 28 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet, mëngjarashi ka kontribuar me një total prej 12 golash, me 7 finalizime, e 5 asistime.