Red Bull rinovon kontratën me Max Verstappen deri në vitin 2023

Sport

Max Verstappen do të vazhdojë të jetë piloti kryesor i ‘Red Bull’ në ‘Formula 1’, të paktën deri në vitin 2023. Palët kanë gjetur marrëveshjen e duhur për rinovimin e kontratës së pilotit holandez, me vetë skuadrën që zyrtarizoi gjithçka. Në këtë mënyrë, janë hedhur poshtë të gjitha spekulimet që shihnin Verstappen të garonte për një nga skuadrat e tjera kryesore. Së fundmi, ishte përfolur për një kalim të holandezit tek Mercedes nga vitit 2021, por pas lajmit të rinovimit me ‘Red Bull’, marka gjermane do të duhet të fokusohet tek profile të tjera.

Max Verstappen u bë pjesë e programit të të rinjve të ‘Red Bull’ në vitin 2014. Pas kësaj, atij do t’i besohej një vend tek skuadra satelite, ‘Toro Rosso’, me Verstappen që u bë piloti më i ri që ka garuar në një ‘Çmim të Madh’ në ‘Formula 1’, në moshën 17 vjeç e 166 ditë. Në 2016-ën, piloti holandez do të bëhej pjesë e ‘Red Bull’, ku do të shënonte emrin si piloti më i ri që ka fituar një garë, në moshën 18 vjeç e 228 ditë. Gjithashtu, ai vendosi edhe rekorde të tjera si piloti më i ri që ka vendosur një xhiro rekord, diçka të cilin e arriti në 2016-ën në Brazil, apo edhe si piloti më i ri, i cili ka arritur të shënojë pikë në ‘Formula 1’.
Verstappen cilësohen prej kohësh si një nga figurat kryesore të së ardhmes së këtij sporti, ku sigurisht, së fundmi është përfolur shumë edhe për një rivalitet mes tij dhe talentit të Ferrarit, Charles Leclerc, ndonëse për momentin, Verstappen ka më shumë eksperiencë se sa monegasku.