Pierre Gasly nuk do të pilotojë makinën ‘Red Bull’ për pjesën e mbetur të sezonit. Francezi ka qenë në qendër të kritikave pas paraqitjeve të tij jo shumë të mira në pjesën e parë të sezonit të ‘Formula 1’ dhe drejtuesit e skuadrës austriake kanë marrë vendim për ta zëvendësuar. Ndonëse pak ditë më parë, shefi i ‘Red Bull’, Christian Horner u shpreh se kishte besim tek aftësitë e Pierre Gasly, është vendosur që francezi të shkëmbejë pozicionet me talentin Alexander Albon. Ky i fundit ka garuar gjatë pjesës së parë të sezonit me skuadrën e dytë të ‘Red Bull’, të quajtur ‘Toro Rosso’. Piloti britanik, me origjinë tajlandeze është pjesë e ‘Red Bull’ që në moshën 13-vjeçare dhe shihet si premtimi i madh i radhës nga skuadra austriake. Edhe pse me një makinë ‘Toro Rosso’, Albon ka treguar gjatë 9 garave të para të sezonit se mund të jetë një element i rëndësishëm për ‘Red Bull’ për pjesën e mbetur të garave, teksa vendin e tij tek ‘Toro Rosso’ do e marrë pikërisht Pierre Gasly.
Për Alexander Albon, kjo është një mundësi që ai nuk duhet ta humbasë, pasi siç thotë edhe vetë piloti 23-vjeçar pranon se nuk e kishte menduar kurrë më parë se në sezonin e tij debutues, do të kishte mundësinë të garonte me një nga 3 makinat kryesore të ‘Formula 1’. Megjithatë ka edhe shumë kritikë që nuk e miratojnë këtë lëvizje të drejtuesve të ‘Red Bull’. Kjo, për shkak se Albon është debutues këtë vit dhe mbi të tanimë do të ketë një presion shumë të madh, për të tejkaluar rezultatet e Pierre Gasly, çfarë mund të vërë në rrezik karrierën e të dy pilotëve në fjalë, njësoj siç ndodhi me Daniil Kvyat 3 vite më parë, me rusin që tashmë piloton pikërisht për ‘Toro Rosson’.