Red Bull kërkon të punohet më shumë me paraqitjet e Pierre Gasly…

Sport

f1
Ndonëse mbetet një nga pilotët më premtues të ‘Formula 1’, Pierre Gasly i duhet ende shumë punë për të arritur gjëra të rëndësishme me skuderinë ‘Red Bull’. Dy garat e para të këtij sezoni nuk kanë qenë nisja më e mirë që piloti francez mund të kishte menduar, pasi një vend i 11 në Australi dhe pozicioni i 8 në Bahrein, janë shumë pak për një makinë që pretendon të jetë mes pretendentëve. Ndryshe nga Verstappen, Gasly has shumë vështirësi në fazën e parë të garës. 23-vjeçari ende nuk është përshtatur si duhet me makinën e re. Francezi thotë se pavarësisht se vjen nga skuadra satelite e ‘Red Bull, ‘Toro Rosso’, ndryshimet në mënyrën se si punohet apo edhe ndryshimet mes makinave janë të mëdha.

220px Pierre Gasly 2017 Malaysia

Christian Horner ka kërkuar që të punohet sa më shumë me makinën e francezit, në mënyrë që paraqitjet e tij të vijnë në rritje, ndërkohë që për Gasly tashmë ka lindur detyra për të mësuar pikat më të forta të makinës së tij, dhe të gjejë mënyrën për t’i shfrytëzuar gjatë të gjitha fazave të garës, njësoj siç bën shoku i tij i skuadrës, Max Verstappen. Ky i fundit edhe pse është më i vogël në moshë se Gasly, e njeh makinën ‘Red Bull’ prej shumë kohësh dhe ka mësuar mjaft mirë se si të marrë më të mirën prej saj. Motorët Honda duket se kanë bërë një punë të mirë në këtë sezon të parë të bashkëpunimit me skuderinë austriake, ndonëse të dyja palët kanë kërkuar të përmirësohet sa më shpejt, në mënyrë që të jenë vazhdimisht pretendentë së bashku me Mercedes e Ferrari.