Reali prezanton përforcimin e ri, Perez qetëson tifozët

Sport

alvaro
Alvaro Odriozola është prezantuar zyrtarisht si futbollist i kampionëve të Evropës, Real Madridit. Transferimi i tij nga Real Sociedad për 35 milionë euro ishte realizuar para disa ditësh, ndërsa vetëm këtë mesjavë, lojtari ka shkelur për herë të parë në ‘Santiago Bernabeu’ me fanellën e “los blancos”. Gjatë prezantimit, Odriozola tha se është një nder i madh që është pjesë e Realit, skuadër të cilën gjithmonë e ka ëndërruar. Ndër të tjera, ai premtoi se do të jap maksimumin për këtë fanellë, në mënyrë që të shpaguajë besimin e dhënë nga klubi. Me rastin e prezantimit të blerjes më të re, presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez ka siguruar të gjithë tifozët e Realit duhet të qëndrojnë të qetë pasi Cristiano Ronaldo i cili u largua nga Los Blancos pas plot 9 vitesh do të zëvendësohet nga një tjetër kampion. Pasi brenda një vere humbi dy njerëzit kryesorë, pikërisht portugezin dhe trajnerin Zinedine Zidane, Perez është shfaqur këmbëngulës në theksimin e gjërave pozitive për klubin.

perez
“Kjo është një skuadër e madhe që do përforcohet me futbollistë fantastikë. Mund të them se po jetojmë një moment legjendar. Kemi fituar shumë tituj, kemi një forcë insitutcionale të paimagjinueshme dhe zotërojmë një potencial ekonomik shumë të madh. Por mbi të gjitha kemi mbështetjen e miliona fansave”, kanë qenë fjalët e presidentit. Numri 1 i klubit madrilen nuk është aspak i shqetësuar nga largimi i CR7 edhe për faktin se ka gati zëvendësuesin e tij, i cili duket se do të jetë belgu Eden Hazard, që pritet të nënshkruajë javën e ardhshme. Ndërkohë që ka marrë “OK”-in edhe nga portieri Thibout Courtois. “Ne jemi Real Madrid, jemi një klub që kërkojmë gjithnjë e më shumë. Çdo titull i fituar është hapi i parë për të arritur të tjerë trofe në të ardhmen. Shumë shpejt do të ndërtojmë një ekip të madh, me lojtarë fantastikë”, përfundoi Perez.