Emri i Kylian Mbappe ka pushtuar të gjitha mediat e huaja në merkaton e kësaj vere, me të ardhem e francezit që mbetet një ndër temat më të diskutuara të momentit në futboll. Vendimi i sulmuesit për të mos rinovuar me PSG përtej 2024-tës, ka bërë bujë të madhe, sepse kjo i jep atij të drejtën, që në verën e ardhshme, të largohet me parametra zero nga “Parc des Princes”.
E ardhmja e Mbappe, vazhdimisht është parë e lidhur ngushtë me një transferim tek Real Madrid. E gjithë vëmendja e spanjollëve është përqendruar sy e veshë nga nënkampioni i botës. Mirëpo, Los Blancos duket se tashmë nuk janë më të vetëm në këtë mes, e madje mund të mos ndihen aspak të qetë për të siguruar shërbimet e Mbappe.
Nëse deri më tani, duhej gjetur gjuha e përbashkët vetëm me PSG, mediat spanjolle, bëjnë me dije se në garë për të nënshkruar me Kylian Mbappe do të hyjë edhe Liverpool, madje fuqishëm. The Reds po hartojnë një plan me përpasa gjigante, vetëm e vetëm që sulmuesi të refuzojë Realin dhe të zbarkojë në “Anfield”.
Për të nënshkruar me 24 vjeçarin, të kuqtë nga Merseyside, po bëjnë gati një operacion, që mendohet se do të prekë shifrën e 300 milionë eurove, i ndarë në 250 milionë euro ofertë, plus 50 milionë euro të tjera në formën e bonuseve.
Ditët e ardhshme të merkatos së verës në lidhje me këtë temë, pritet të jenë edhe më të nxehta, me Liverpool që ka vendosur të “thyejë” bankën, ndërsa nga ana tjetër, as Real Madrid nuk pritet të qëndrojë duarkryq në këtë mes.