Reali i Madridit hodhi një hap të rëndësishëm në rrugëtimin drejt titullit kampjon të La Ligas duke mundur 4-1 Celta Vigon në transfertë. Në Estadio Balaidos Cristiano Ronaldo ishte ai që dha garancitë absolute për skuadrën e Zidane. Portugezi shënoi dy gola për pjesë duke thyer rekordin e anglezit Jimmy Greaves. Ronaldo kapërceu kuotën e 366 golave të shënuar në kampjonatet më të forta të Evropës, duke përfshirë këtu edhe golat e shënuar më United-in. 32-vjecari ka tashmë një mesatare prej 0.79 golash për ndeshjet e kampjonatit. Interesante është se Lionel Messi, vjen pas me 346 gola, por me rendimentin që ka argjentinasi e sigurt është se konkurrenca me Ronaldon do të vazhdojë edhe më tej. Në Balaidos në rrjetë shkuan edhe Benzema me Tony Kroos, ndërsa Zidane eksperimentoi me një sulm dysh ku prapa tyre qëndronte Isco. Me këtë fitore Reali i Madridit shkon në kuotën e 90 pikëve dhe kryeson La Ligan me 3 pikë distancë nga Barcelona. Në fundjavë ata do të kenë si kundërshtarë Malagan që nëka rreshtuar 5 rezultate pozitive në 5 ndeshjet e fundit. Skuadrës së Zidane i duhet të mos humbasë që të sjellë titullin në Bernabeu pas 5 vitesh mungesë. Sipas francezit, ky do jetë një test i rëndësishëm përpara finales së Champions League-ës në Cardiff. Por shtypi spanjoll ndërkohë, thekson se Zidane mund të luajë sërish me rotacion edhe pse me Malagan vendoset titulli.