Reali mund të marrë edhe Neymarin edhe Mbappe…

Sport

Shpenzimet për paga te Reali i Madridit janë rritur duke kapur shifrat e 280 milionë eurove, por në Spanjë thonë se Los Blancos kanë ende hapësira për yje të tjera në bilance. Mes një serie emrash të spekuluar, prej të cilëve spikasin Paul Pogba, Eden Hazard dhe Christian Eriksen, dy emra edhe më të mëdhenj duket se po shihen si mundësi për t’u sjellë në Bernabeu, bëhet fjalë për Neymar dhe Kylian Mbappe. Pasiguria e Thomas Tuchel për t’i garantuar qoftë dhe publikisht prezencat e tyre të PSG kanë bindur shtypin spanjoll të nisin analizat se si Reali i Madridit mund t’i marrë të dy në La Liga. Gazeta AS analizonte të hënën se Neymar paguhet në Paris 70 milionë euro bruto, shifër që duke hequr taksat shkon në 37 milionë. Mbappe nga ana tjetër paguhet 11,5 milionë.

Vetëm analiza e pagave për gjithë strukturën e klubit të Realit shkon në rreth gjysmë miliardi. AS shkruan se 811 personat e punësuar nga Los Blancos, duke përfshirë këtu edhe stafin dhe lojtarët, shkojnë në 430 milionë euro në vit. Por aktualisht të ardhurat në Madrid shkojnë diku te 750 milionë dhe sipas AS-ës ata mund ta përballojnë edhe pagën e një tjetër lojtari të madh. Por në synimin për t’i marrë të dy si Neymarin edhe Mbappen, Reali më parë duhet të shkurtojë bilancin me emra si Gareth Bale, që përfitojnë 14.5 milionë. Sidoqoftë, sipas AS-ës, fakti se marka e Realit ka njohur rritje në vlerësimet ekonomike e bën klubin që të rihyjë në negociata marketingu me vlera më të larta, gjë që mund të sjellë edhe fondet e mjaftueshme për të synuar Mbappe dhe Neymar. Kjo është analiza, por a do të realizohet në të vërtetë, mbetet për t’u parë.