Që kur vendosën të largonin Cristiano Ronaldon drejt Juventus, tek Real Madrid e dinin shumë mirë se po merrnin përsipër një bast të rrezikshëm. Skuadra ‘los blancos’ po vazhdon të vuajë dhe nuk ka dyshime se organikës i mungon një lojtar që di të bëjë diferencën. Rekordi negativ prej 480 minutash pa shënuar gol tregon shumë, pasi ku në formacion ishte Ronaldo, vetë portugezi prodhonte mesatarisht 1 gol për ndeshje. Në Spanjë thuhet që edhe Perez të jetë bindur tashmë se në skuadër duhet të afrohen emra me peshë. Neymar ka muaj të tërë që përflitet si ylli i ardhshëm i Real Madrid, por kostot e transferimit të tij nga Parisi, mbeten shuma të larta që duhen marrë parasysh.
Vetë Perez thoshte në dhjetorin e 2017-ës se nëse Neymar do të ishte tek Reali, atëherë do ta kishte më të lehtë të fitonte trofe, apo edhe ‘Topin e Artë’. Emri tjetër më i përfolur është ai i Eden Hazard. Belgu e ka shprehur hapur dëshirën e tij për të luajtur një ditë me fanellën e ‘los blancos’, por tek Chelsea nuk kanë ndërmend të heqin dorë kollaj nga superylli i skuadrës. Emra të tjerë janë edhe Mbappe Lottin apo Harry Kane i Tottenham, më këta të fundit që i janë sygjeruar Perez edhe nga shumë ish-futbollistë të njohur.Megjithatë mbeten për t’u parë veprimet që do të ndërmarrë presidenti i kampionëve të Evropës, pasi fillimisht mund të pritet rezultatet e ndryshimeve të mundshme të stolit madrilen.