Humbja e Realit të Madridit kundër CSKA-së në Bernabeu nxorri në pah se problemet nuk kanë mbaruar ende për 13 herë kampionët e Evropës. Zhgënjimi ishte jashtëzakonisht i madh kur humbja e Moskës u ripërsërit edhe në Madrid edhe pse në krye tashmë nuk është Lopetegui por Santiago Solari. Por përtej rezultatit, që nuk është se i prishte punë Realit për sa i përket kryesimit të grupit G, ishte një situatë që ngjau në minutën e 74-ët ajo që nxiti më shumë diskutime. Pas zëvendësimit të Marcelos me Carvajal, Isco nuk pranoi të merrte shiritin e kapitenit. Isco vuajti vërshëllima dhe kontestime pa fund nga tifozët ndërsa më herët ai qe shfaqur dukshëm aspak i përqendruar. Të mërkurën Los Blancos vuajtën humbjen më të thellë të parë ndonjëherë në shtëpi për sa i përket kompeticionit Champions League.
Për gjestin e Iscos të shumta kanë qenë arsyet sipas mediave. Lojtari nuk ndihet mirë me ambientin e krijuar, sidomos pas largimit të Lopeteguit. Shpesh është përfolur se ai do të largohet pasi nuk ka gjendur vend si titullar apo vlerësim sa priste. Po kështu kontestimet e tifozëve po japin dukshëm efektin e tyre, ndërsa sipas gazetës AS reagimi për të mos marrë shiritin ishte nga frika se kontestimet do të ishin më të mëdha. Marcelo ka thënë të tijën për këtë pjesë duke u shprehur se nuk e kishte parë mirë reagimin e shokut të skuadrës, por që besonte se kjo nuk kishte lidhje me asnjë shigjetim kundrejt tifozëve. CSKA u bë të mërkurën skuadra e katërt në histori që i merr Realit 6 pikë në grupe pas Bayernit dhe Juventusit në vitet 95, 2008.