Reali i Madridit e Tottenhami luajnë për vendin e parë, Dortmund e APOEL-i për shansin e fundit

Sport

fgtfuhyt
Reali i Madridit kërkon sot në Nicosia të harrojë atë humbje të 20 ditëve më parë në Wembley. Superkampionët e Evropës synojnë të arrijnë për herë të 15-të radhazi kalimin e fazës në grupe të UEFA Champions-League. Los Blancos vijnë në këtë sfidë pas barazimit pa gola me Atleticon në derbin e Madridit. Ata do jenë pa kapitenin e tyre Sergio Ramos, i cili në atë ndeshje vuajti një frakturë në hundë. Në Qipro nuk kanë udhëtuar as Bale, Navas dhe Kovacic, të cilët mbeten të lënduar. Zidane është shprehur se do t’u japë mundësi të rinjve Asensio dhe Vallejo, ndërsa e ka cilësuar APOEL-in një skuadër të denjë për në Champions League. Qipriotët nga ana e tyre, me dy barazimet me Dortmundin, mbeten matematikisht në lojën për kualifikim nga Grupi H. Për të shtuar shanset e surprizës, ata duhet të fitojnë me Realin, gjë që duket e vështirë, por jo e pamundur. Sidoqoftë trajneri Giorgos Donis nuk do ketë në dispozicion mbrojtësin Milanov dhe portieri Waterman. Paralelisht vëmendja shkon në Dortmund, atje ku verdhezinjtë e Peter Bosz janë në një situatë kritike. Tre humbje në 4 ndeshjet e fundit, ndërsa përballë Tottenhamit, kërkohet medoemos fitorja. Ky është shansi i vetëm për gjermanët, të cilët pikërisht ndaj anglezëve vuajtën humbjen e parë sezonale. Nga ana e tjetër Spursat e Pochettinos siguruan kualifikimin falë fitores me Realin, por sikurse ka thënë argjentinasi luajnë për të garantuar vendin e parë, në këtë sfidë ata vijnë pas një humbjaje të beftë të derbit të Londrës me Arsenalin, ku disa lojtarë shfaqën probleme me formën fizike.