Reali i Madridit bën zyrtare blerjen e dytë për sezonin e ri

Sport

Luka Joviç është zyrtarisht pjesë e Realit të Madridit. Klubi i Florentino Perez ka konfirmuar në faqen zyrtare “goditjen” e dytë për këtë merkato me sulmuesin serb, i cili ka firmosur një kontratë të vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2025. Mësohet se ky transferim i ka kushtuar madrilenëve plot 60 milionë euro, të cilat janë derdhur në arkat e klubit gjerman, Eintracht i Frankfurtit. 21-vjeçari ka zhvilluar një sezon mbresëlënës duke realizuar 27 gola në 48 ndeshje me klubin e Bundesligës, 17 në kampionat dhe 10 në Europa League. Kontrata e re e nënshkruar parashikon që ai do të luajë për madrilenët për të paktën 6 sezone. Jovic u bashkua me Eintrachtin e Frankfurtit në huazim nga Benfica në vitin 2017 dhe më pas u ble në fund të sezonit të kaluar për 7 milionë euro.

“Nga pikëpamja sportive, shitja e Luka Joviç është një goditje e madhe. Shpërthimi i tij dhe kapaciteti për të shënuar gola na futën në Europë. Ne kemi përfituar shumë më tepër prej tij në dy vitet e fundit. Për Eintracht Frankfurt kjo është një transferim i mirë dhe i rëndësishëm. Luka i ka të gjithë atributet për të pasur një karrierë të madhe. Dhe ne jemi krenarë që e kemi mbështetur në rrugën e tij“, deklaroi drejtori sportiv i Eintrachtit, Fredi Bobiç. Joviç është përforcimi i dytë në merkato i madrilenëve, pasi më parë, klubi merengues, kishte nënshkruar me mbrojtësin e Portos, Militao, për 50 milionë euro. Në orët në vijim pritet të zyrtarizohen edhe përforcime të tjera të Realit, që kërkon të rikthehet në majën e futbollit evropian pas një sezoni të dështuar.