Eshtë një janar më i ftohtë se kurrë më parë, ai që po ndihet në Madrid. Shtypi sportiv ka analizuar situatën që po kalojnë 13 herë kampionët e Evropës dhe ajo është ndër më të këqijat. Ky sezon është me sulmin më të dobët të këtyre 25 viteve për Realin në La Liga. Vetëm 26 gola, 2 më pak se 28 realizimet e dyshes së Barcelonës Messi-Suarez. Por situata është edhe më dëshpëruese kur vjen puna për ndeshjet në shtëpi. Reali ka shënuar vetëm 13 gola në 9 përballje në Bernabeu. Sipas analizës së gazetës Marca, Los Blancos duan rreth 1 orë lojë për të realizuar 1 gol në shtëpi. Kjo është statistika më e dobët e regjistruar ndonjëherë në gjithë periudhën e presidencës së Florentino Perezit. Në dhjetë vitet e fundit mesatarja e kohës së kaluar për të parë një gol në Bernabeu ka qenë 29 minuta me sezonin 2011-2012 sezonin më rezultativ, 1 gol cdo 21 minuta.
Ky sezon përkon fiks me periudhën kur Jose Mourinho drejtonte Realin. Statistikat i japin më shumë zë spekulimeve që flasin për një rikthim të tijin. Sipas të dhënave të nxjerra nga Marca, rënia është parë që sezonin e shkuar, kur në këtë periudhë të sezonit qenë shënuar vetëm 19 gola. Për sa i përket skuadrave në Evropë, Reali është në të njëjtin nivel me Sevillan për sa i përket realizimeve në shtëpi, ndërsa në krye për nga statistikat qëndron Manchester City, që në Etihad ka shënuar 37 gola këtë sezon me një mesatare 1 realizim çdo 27 minuta. E pra gjendja te Los Blancos është shumë larg kampionëve të dikurshëm, mbetet për t’u parë se si cfarë do të mund të ndryshojë nga ky janar ku priten edhe lëvizje në merkato.