Reali e pret, Liverpool dhe Chelsea në garë për Kylian Mbappe

Sport

E ardhmja e Kylian Mbappe konsiderohet si telenovela më intriguese e kësaj merkatoje verore, teksa përgjatë orëve të fundit, Liverpool dhe Chelsea kanë nisur garën mes tyre për të siguruar shërbimet e yllit francez.

Ky i fundit ka ende edhe një vit kontratë të vlefshme me PSG, mirëpo ka vendosur që të mos rinovojë më tej, e për këtë arsye, situata në kampin e kampionëve të Ligue 1, është e koklavitur.

Ëndrra e madhe e Mbappe është të luajë me Real Madrid, mirëpo problemi qëndron në faktin se për ta shitur futbollistin, Parisi kërkon mbi 230 milionë euro, diçka që Reali nuk e përballon dot financiarisht. Si pasojë, Los Blancos dhe Mbappe kanë arritur marrëveshje mes tyre që verën e ardhshme, lojtari të transferohet me parametra zero në “Santiago Bernabeu”.

Nga ana tjetër, kampionit dhe nënkampionit të botës, i është bërë e qartë, që nëse qëndron në “Parc des Princes” në sezonin e ri, atëherë nuk do të jetë pjesë e skuadrës, por do t’i shohë ndeshjet nga tribuna. Për këtë arsye, huazimi i tij për një sezon në një tjetër klub, konsiderohet si një zgjidhje e detyruar për të dyja palët, si për lojtarin, ashtu edhe Parisin, pasi kjo cilësohet zgjidhja më e pranueshme që PSG  të sigurojë ndonjë të ardhur nga francezi.

Në kushte si këto, i pari që ka shprehur dëshirën për të afruar 24 vjeçarin është Liverpool. Gjigantët nga Merseyside janë të gatshëm të negociojnë në këtë aspekt. Vetë Mbappe, në deklaratat e tij të mëparshme është shprehur se gëzon një respekt maksimal për skuadrën e Jurgen Klopp, e po ashtu është edhe klubi i preferuar i nënës së tij.

Nga ana tjetër, këtë çështje po e ndjek me vëmendje edhe Chelsea. Blutë e Londrës janë një ekip në ndërtim dhe përforcimi me Kylian Mbappe për një sezon, do të ishte një lëvizje mjaft e zgjuar, për të provuar ngjitjen në nivelet më të larta.

Sikurse theksohet në mediat ndërkombëtare, ditët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e Kylian Mbappe. Derisa gjithçka të qartësohet, francezi do vijojë të jetë elementi më i komentuar i merkatos verore.