Reali bën çmendurinë, 45 milionë euro për një 16-vjecar brazilian

Sport

reall

Pas Juventusit, duket se edhe Reali i Madridit do ketë një lojtar me nofkën “La Hoja”, por ndryshe nga Dybala që është argjentinas, ai i Realit është brazilian dhe nofka e tij lakohet ndryshe “La Zhoja”. Së fundmi shtypi spanjoll ka cituar raportime në Brazil, sipas së cilave Los Blancos kanë rënë dakord të paguajnë plot 40 milionë euro për të siguruar shërbimet e 16-vjeçarit të Flamengos, Vinicius Junior. Globoesporte, citohet të raportojë se zyrtarë të klubit madrilen kanë kryer në fillim të javës teste mjekësore të imtësishme përpara se të bëjnë gati nënshkrimin e marrëveshjes ekonomike. Sipas së gjitha gjasave, Vinicius do të qëndrojë në Brazil deri në vitin 2018-të dhe ndërkohë do të integrohet me skuadrën e parë të Flamengos, çka për 16-vjecarin ka qenë një lajm tejet i gëzueshëm. Vinicius luan në të gjitha pozicionet e sulmit. Teknikisht është tejet i zhdërvjellët dhe ka aftësi të shkëlqyera për të shënuar. Në fakt ai rezulton kampjon i Amerikës së Jugut me Brazilin për moshat U15 dhe U17, ku së fundmi në kampjonatin e mbajtur në Kili u shpall edhe lojtari më i mirë i turneut. Interesante është se për të arritur një marrëveshje me të, Reali i Madridit ka fituar në konkurrencën direkte me Barcelonën dhe më shumë se 10 klubeve të tjera evropiane që i ishin vënë nga pas. Sipas shtypit spanjoll, Reali i paraqiti Flamengos 15 milionë euro më shumë se oferta që kishte bërë Barcelona.