Transferimi i Cristiano Ronaldos nga Real Madridi në Juventus nënkupton se pritet që fituesit e Champions League të bëjnë shumë shpejt një goditje sensacionale në merkato. Emri më i fundit që ka dalë në qarkullim është ai i Edinson Cavani, sulmuesi i Paris Saint-Germain, i cili flitet se mund të jetë objektivi më i ri i gjigantit madrilen. Dihet se presidenti, Florentino Perez, i pëlqen blerjet e shtrenjëta dhe nuk kursehet kur vjen puna për të shpenzuar për lojtarë kampionë. Eden Hazard dhe Neymar janë të dy në listën e dëshirave të Realit. Por nëse belgu mund të jetë një nga afrimet e shënjestruara nga ana e kreut të klubit madrilen, braziliani duet se e ka të vështirë të largohen nga klubi parizien. Ja që pikërisht nga kryeqyteti i Francës mund të vijë një tjetër lojtar. Radio “Marca” ka raportuar se ”Los Blancos” duan që të bëjnë një lëvizje për sulmuesin uruguajan, Edison Cavani.
Ai ishte autor i 28 golave në 32 paraqitje në Ligue 1 sezonin e kaluar. Pa llogaritur që shënoi 3 gola në Kupën e Botës me përfaqësuesen urugajane, duke qenë një nga më të dalluarit. Jo më kot, te PSG, bashkë me Neymar dhe Mbappe, përbëjnë një nga treshet sulmuese ndër më të rrezikshme. Por fakti që sezonin e kaluar pati disa mosmarrëveshje sidomos me Neymar, mund ta detyrojë të kërkojë një tjetër skuadër. E ku ka më mirë sesa kampionët e Evropës? Gjithsesi, teksa në Angli flitet se madrilenët kanë bërë ofertë 67 milionë stërlina për portierin e Tottenham, Hugo Loris, “Los Blancos” po mendojnë edhe të shesin. Sipas “Goal.com”, nga Madridi mund të largohen tre futbollistë. Konkretisht bëhet fjalë për Gareth Bale, Karim Benzema dhe Mateo Kovacic, i cili ka kërkuar shprehimisht të shkojë në një skuadër që do t’i garantojë aktivizim më të shpeshtë. Trajneri Julen Lopetegui duket se do të bëjë revolucion, pasi lojtarët aktual kanë fituar gjithçka, kështu që ka nevojë për freski.