Real Madrid, Zidane e pranon se fatet e tij vendosen kundër PSG në Champions League

Sport

Zinedine Zidane

Fati i Zinedine Zidane do të vendoset në sfidën me PSG në Champions League dhe këtë gjë e ka pranuar edhe vetë trajneri francez pas eliminimit me Leganes në Copa del Rey. “Sigurisht, është gjithcka e qartë, unë jam trajneri dhe natyrisht që jam përgjegjës për këtë situatë, u kërkoj falje tifozëve, do mundohemi të gjejmë shkaqet dhe t’i tejkalojmë” – u shpreh Zidane duke shtuar se do të provojë deri në fund të gjejë zgjidhjen. Në 1/8-at e UEFA Champions League, sfida do jetë edhe më e vështirë. PSG duket tashmë me krejt tjetër nivel krahasuar me kampionët në fuqi të Evropës, të cilët nuk kanë më si fortesë as Santiago Bernabeun. Pikërisht në Bernabeu, Leganes u bë skuadra e parë në histori që i eliminon madrilenët atje, pasi këta të fundit e kishin fituar sfidën e parë në një ndeshje të Copa Del Rey. Shtypi spanjoll e ka gozhduar me statistika dhe kritika Zidane-in. Reali nuk gjuajti asnjë top në kuadrat në 45 minutat e para. Por trajneri i Realit i pranoi të gjitha. Ai tha se loja ishte zhgënjyese. Duke pranuar se lojtarët nënvlerësuan kundërshtarin pas fitores në takimin e parë, 44-vjecari tha se nuk pendohej për faktin se la pushim Ronaldon dhe Bale-in. Në Spanjë thonë se sezoni 2017-18 nëse mbyllet pa trofe, rezikon të kthehet në sezonin më dëshpërues të historisë së Realit. Los Blancos nga ana tjetër mund të mbeten edhe jashtë Champions League-ës nëse nuk i kthehen rezultateve pozitive në La Liga. E pra nga kjo gjendje ajo që ndihet më mirë është PSG që më 14 shkurt luan sfidën e parë të 1/8-ave, pikërisht në Bernabeu, atje ku Reali ka zhgënjyer më së shumti javët e fundit.