Real Madrid vs Milan, TS1 HD, 21:00

Sport

Carlo Ançelotti, trajneri i Real Madrid:

“Ka kaluar një javë nga përmbytjet tragjike në Valencia. Jemi të trishtuar dhe në këto kohëra të vështira, jemi të gjithë pranë njerëzve në nevojë. Uroj që kjo të përfundojë sa më shpejt dhe çdo gjë t’i kthehet normalitetit. Njëkohësisht, në një situatë si kjo, është e vështirë të flasësh për futboll, apo të luash ndeshje. Ne jemi pjesë e këtij vendi dhe jemi shumëtë prekur. Si pasojë, është e vështirë të përgatitesh psikologjikisht për të luajtur futboll. Jemi përgatitur për këtë sfidë, sepse jemi profesionistë dhe do të përpiqemi të fitojmë. Kjo është ajo që duhet të bëjmë. Për mendimin tim, futbolli duhet të ishte ndalur së luajturi, sepse ky është një sport që mund të festohet kur gjërat shkojnë mirë, në të kundërt nuk duhet të ketë festë. Futbolli është gjëja më e rëndësishme nga gjërat më të parëndësishme të jetës. Por, siç e thashë, ne jemi të punësuar në këtë profesion dhe nuk jemi ne ata që vendosim se çfarë duhet të bëjmë. Topi i Artë? Tani ka përfunduar gjithçka. Urojmë fituesin dhe kaq. Topi im i Artë ishte në 1 Qershor, kur fituam titullin e Champions League.

Lucas Vazquez, lojtari i Real Madrid:

“Do të doja të dërgoja një mesazh ngrohtësie për të gjitha familjes e prekura nga përmbytjet në vend. Këto janë kohëra të vështira. Dua të siguroj se ata nuk janë vetëm. Ne do të përmiqemi t’i ndihmojmë sa më shumë të mundemi, duke qëndruar pranë njëri-tjetrit në momente si këto. Uroj që çdo gjë t’i rikthehet normalitetit sa më shpejtë të jetë e mundur.

E kemi të vështirë të përgatitemi për ndeshjen në një situatë të tillë, sepse futbolli duhet të kishte kakluar në plan të dytë. jemi të trishtuar për të gjithë atë që ka ndodhur. Shumë njerëz po vuajnë dhe kjo na ka prekur të gjithëve.”

 

 

 

 

 

Paulo Fonseca, trajneri i Milanit:

“Ndeshjet si këto, gjithmonë të motivojnë në maksimum. E dimë se për të fituar titullin e Champions League, duhet të jemi në formën më të përkryer tonën. Në këtë rast, do të luajmë ndaj kampionëve në fuqi. Sonte kemi një mundësi për të treguar vlerat tona. Duhet të tregohemi kurajozë, nuk duhe të kemi frikë në fushë dhe mbi të gjitha, të vendosur për të bërë mirë. E pashë E Clasicon. Ishte e rëndësishme të shihja se si do të luante Reali ndaj Barcelonës. Ngjashmëri? Kemi disa, por ne nuk ishim favoritë as në derbi, kështu që çdo kundërshtar, apo cdo ndeshje, është një histori më vete. Ndaj Realit e kemi përgatitur takimin mbi një tjetër rrafsh. Leao do të luajë titullar. Pres që ai të bëjë diferencën. Morata është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, sepse ndër të tjera, transmeton shumë energji dhe është i zgjuar në lojën e tij. Do të thoja se është një shembull për t’u ndjekur. Theo Hernandeze nisi sezonin me disa vështirësi fizike, por tani duket se është kthyer në normalitet dhe po zhvillohet më tepër si lojtar. Ançelotti? Carlo është trajneri më i mirë në botë. Ai është një pikë referimi për mua si teknik, e gjithashtu si person. Çdo gjë që ai thotë ka domethënie, kështu që do të jetë një nder që do të takohem me të.”

Mike Maignan, portjeri i Milanit:

“Para së gjithash duhet të ruajmë qetësinë dhe të luajmë si një skuadër e vetme. Duhet të tregohemi të guximshëm në çdo moment dhe të ruajmë ekuilibrat, si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese. Nëse unë nuk përpiqem të bëhem portieri më i mirë, askush nuk do ta bëjë këtë gjë për mua. Unë gjithmonë mendoj të jem një nga portierët më të mirë në botë, megjithëse kam ende disa gjëra mbi të cilat duhet të punoj. Rinovimi i kontratës? Nuk është kjo gjëja më e rëndësishme e momentit. Na pret një ndeshje e rëndësishme për të luajtur, kurse pjesa tjetër nuk ka asnjë rëndësi. Për mua, futbolli është adrenalinë. Ndaj çdo kundërshtari që zbrezim në fushë, mbushem me adrenalinë dhe jam mjaft i lumtur për këtë gjë. Mbappe? Ne flasim gjatë gjithë kohës. Ai është një futbollist i nivelit botëror.”