Thomas Tuchel (trajner i Bajern):
“Kjo do të jetë ndeshja e ndeshjeve. Dua që lojtarët të arrijnë të japin më të mirën e tyre në fushë. Nuk kemi nevojë vetëm për 11 futbollistë, por për një nivel të lartë kolektiviteti. Ne të gjithë duhet të besojmë në kauzën tonë. Asnjëri nga ekipet nuk do të dominojë gjatë gjithë ndeshjes dhe njëra prej skuadrave thjesht do të kundërpërgjigjet. Duke qenë se do të luajnë në shtëpi, do të thosha se Reali ka 51% shanse. Natyrisht, ata janë një nga klubet më të mëdha në botë. Por edhe ne jemi. Kjo është arsyeja pse kjo përplasje është kaq e fortë dhe e paparashikueshme. Është një gjysmëfinale, që do të presë biletën për në finale.
Duhet të mendojmë se jo gjithçka do të shkojë në mënyrë perfekte. Por ne mund ta realizojmë ëndrrën tonë dhe ta mposhtim Realin e Madridit, nëse tregojmë mentalitetin e duhur. Te madrilenët, Toni Kroos është një lojtar themelor. Ai e përballon presionin dhe peshën e asaj fanele pa mundim, është absolutisht i jashtëzakonshëm në mënyrën e tij delikate për të dominuar lojën.
Mendoj se do të jetë një lojë me disa faza. Në fazat ku ke avantazh duhet të jesh me fat dhe efikas. Të dyja skuadrat do të duhet të vuajnë. Të dyja skuadrat dinë të qarkullojnë topin dhe dinë të luajnë në tranzicion të shpejtë. Ne duhet të jemi të kujdesshëm kur mbrohemi, pasi Real Madridi është shumë i mirë në kundërsulme. Duhet të jemi mbështetës, të besojmë dhe të punojmë. Është shumë e thjeshtë: kushdo që fiton shkon në Ëembley. Qëllimi ynë është që ne të jemi fituesit”.
“E gjithë përgatitja ka qenë rreth përmbajtjes. Nuk bëhet fjalë për historikun e Bernabeut, pasi dihet që është një nga stadiumet më të vështira për t’u fituar. Por nuk është e pamundur…. Në Mynih, ishim ne që luajtëm një ndeshje shumë të mirë, por për fat të keq nuk fituam. Sot gjërat pres të jenë ndryshe në të gjithë aspektet. Por ku i dihet, ndoshta ndodh që të fitojmë, edhe duke mos luajtur mirë. Jemi gati për gjithcka. E theksoj që ata janë padyshim një nga klubet më të mëdha në botë. Por edhe Bajerni nuk qendron shumë prapa, sa i takon rangjeve të futbollit në Evropë. Pres vërtet spektakël në fushën e lojës, me një lojë disi më të përmbajtur sesa ndeshja e parë. Por di të them se ne do të luajmë me të gjitha forcat tona, për të shkuar në Ëembley dhe nuk na shkon ndërmend asgjë tjetër!”.
Manuel NEUER (kapiten i Bajern):
“Kush shënon golin e pare, ndoshta mund të bëjë diferencën. Gjithmonë kundër Real Madridit vendoset nga detajet e vogla. Besoj se përqendrimi do të jetë shumë i lartë. Në sulm, të dyja skuadrat janë shumë të forta, ndërsa ne jemi të përgatitur për faktin se çdo gjë mund të ndodhë. Nëse marrim Bellingham ose Vinicius, nuk janë vetëm ata të dy që mund të bëjnë diferencën.
‘Bernabeu’ i ri do të thoja se është mbresëlënës. Ky stadium ka diçka të veçantë, historike. Nuk ka stadium në botë ku është më bukur të vraposh si fëmijë. Ndonëse varet edhe se në çfarë lloj personi jeni. Ne nuk luajmë me frikë. Nëse kemi pasur mundësitë të mposhtnim Real Madridin në stadiumin tonë, atëherë pse jo, dëshirojmë të provojmë për të bërë të njëjtën gjë edhe në stadiumin e tyre.
Harry Kane apo Jude Bellingham? Me Harry-n kemi një sulmues që skuadrat kundërshtare e respektojnë, por ne e dimë se Real Madridi ka gjithashtu lojtarë të mirë. Jude për shembull është një lojtar që mund të çojë përpara një ekip të tërë. Unë them Harry, sepse ai mund të shënojë me çdo pjesë të trupin e tij. Çfarë na ka thënë Tuchel gjatë fjalimit që mbajti në fushë? Nuk ishte një fjalim taktik. Na kujtoi se çdo lojtar që kishte ëndrra, duhet të mendonte patjetër sesi të thyente Realin. Të gjithë kemi ëndërruar të arrijmë në finalen e Ligës së Kampionëve, mirëpo duhet të hedhim edhe këtë hap të fundit”.