Real Madrid vs Arsenal TS1, HD, 21:00

Sport

Carlo Ançelotti, trajneri i Real Madrid:

“Tifozët do të jenë shumë të rëndësishëm sonte. Në shumë raste, inkurajimi i tyre na ka ndihmuar shumë. Në veçanti përgjatë viteve të fundit. Këtë herë do të jetë e njëjta gjë. Duhet të performojmë në më të mirën tonë dhe të kthejmë në favor një situatë, e cila për momentin është shumë e komplikuar. Për të bërë një paraqitje dinjitoze, duhet të jemi të mirëpërgatitur psikologjikisht. Duhet të luajmë me mendje, zemër dhe kurajë. Le të shpresojmë se do të jetë kështu. Skuadra është e motivuar dhe e uritur. Real Madrid zotëron të gjithë kapacitetin për të përmbysur këtë situatë. Ne kemi cilësinë, këmbënguljen, eksperiencën e shumë lojtarëve, e po ashtu edhe tifozët. Potenciali është aty, thjesht duhet të marrim më të mirën nga çdo futbollist. Përgjatë viteve të fundit, për ne është thënë se nuk kemi luajtur fyutboll spektakolar, diçka që mund të jetë e vërtetë. Por, më shumë se kjo, ne duam të luajmë një futboll efektiv. Kam folur me lojtarët dhe u kam qartësuar atyre strategjinë e lojës. Kemi provuar diçka në stërvitje dhe dua që kjo gjë të reflektohet edhe në fushë. Dua të jem sa më i qartë. Nëse një futbollist e kupton mesazhin në mënyrën e duhur, atëherë edhe performanca e tij do të jetë pozitive. Do të përpiqemi të vendosim intensitet, duke ushtruar pressing dhe të qarkullojmë më shumë se në ndeshjen parë. Nuk do të ketë magji, sepse magjitë nuk ekzistojnë.

Për mua, nuk është hera e parë në këto nivele. Uroj të mos jetë e fundit, sepse Champions League është një kompeticion i veçantë për mua. Po mendoj pozitivisht dhe në këto ndeshje, gjatë lojës dua të jem i përfshirë nga stoli. Ky entuziazëm më ndihmon të ruaj qetësinë.

Mendoj se nuk është vendimtare nëse shënojnë një gol të shpejtë, megjithëse mund të ketë njëfarë rëndësie në lojën tonë. Gjëja më e rëndësishme është të kemi çdo gjë nën kontroll që prej fillimit të lojës. Kur ke lojën nën kontroll, atëherë mund të shënosh në çdo moment.

Arsenali? Do të thoja se ata janë një skuadër e organizuar mirë. Sigurisht që nuk kanë shumë eksperiencë, por Arteta po punon mirë dhe ka ide të qarta, qoftë në lojën sulmuese, ashtu edhe atë mbrojtëse. Ata janë shumë të përqendruar dhe nuk interesohen shumë për zhurmën e jashtme.”

Jude Bellingham, lojtari i Real Madrid:

“Tifozët janë shumë të rëndësishëm për ne. Ata krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme. Energjia brenda stadiumit është shumë motivuese dhe kjo gjë i bën lojtarët të japin më të mirën e tyre. Duhet të kuptojmë një njerëzit janë aty për ne, në mënyra që kjo ndeshje të bëhet edhe më e madhe. Nuk mund të kërkojmë nga tifozët e Realit që të bëjnë diçka më tepër nga ajo që kanë treguar. Ata janë lojtari i 12-të për ne dhe në çdo rast japin më të mirën e tyre. Tani është momenti t’i bëjmë ata të ndihen krenarë.

Përmbysje. Këtë fjalë mund ta kem dëgjuar 1 milionë herë këtë javë. Kam parë shumë video nga tifozët, nga shtypi dhe kjo gjë na motivon shumë. Është një mbrëmje përrallore e bërë për Real Madrid, por është gjithashtu edhe nga ato mbrëmje që njerëzit janë mësuar të shohin. Nuk mund të shtojmë asgjë tjetër.

Emilio Butragueno na foli për fitoren 6-1 kundër Anderlecht. Ky është një burim frymëzimi. Ne duam të shtojmë një tjetër faqe në historinë e këtij klubi. Sonte kemi mundësinë të vazhdojmë me hapa të rëndësishëm nga e ardhmja dhe kjo është mjaft thelbësore për ne.

Goditjet e dënimit nga surprizuan pak në ndeshjen e parë. Nuk e kisha parë ndonjëherë Declan Rice të shënonte dy gola prej një kohe të gjatë. Kjo gjë na surprizoi. Ata janë një skuadër shumë e mirë dhe e dimë që kanë një trajner të madh gjithashtu. Arsenali është një ekip i organizuar më së miri.”

 

 

Mikel Arteta, trajneri i Arsenalit:

“Kam shumë respekt për historinë e Madridit dhe për atë që ata kanë bërë në këtë kompeticion. Është e jashtëzakonshme. Është e mrekullueshme që kemi ardhur në këto nivele. Përmbysjet? Kjo është pjesë e historisë. Ne jemi përgatitur për të fituar. Duhet të besojmë, të dominojmë dhe të kemi besimin se mund ta mposhtim Realin. Është pjesë e analizës së një kundërshtari për të kuptuar përse këto gjëra ndodhin. Është çështje mundësish dhe kualitetit që ata kanë. Duhet të jemi të përgatitur dhe gati për çdo skenar.

Mendoj se janë 3 aspekte që bëjnë diferencën. Një prej tyre është aspekti emocional. Duke marrë parasysh atë që bëmë ndeshjen e parë, mendoj se jemi në moment të mirë. Jemi këtu për të bërë histori, kjo është gjëja më e rëndësishme.

Kur duhet të krijosh histori, para së gjithash, duhet të jesh i emocionuar rreth kësaj gjëje. Duhet të jesh i përgatitur për këtë dhe më pas të jesh i bindur në atë se çfarë dëshiron të arrish. Kjo ka të bëjë me këmbënguljen, e duke i hedhur hapat një nga një.

Tani janë bërë 497 ditë që ne nuk kemi pësuar 3 gola në një ndeshje, por një gjë e tillë nuk ka asnjë rëndësi. Ne duhet të tregojmë veten tonë në fazën që ndodhemi dhe kjo është bukuria e këtij momenti. Kjo është sfida jonë dhe adrenalina që të jep sporti. Ne kemi treguar se jemi të gatshëm për këto nivele dhe patjetër kemi besim se do ia dalim mbanë. Tani le të flasim në fushë pasi kjo është gjëja më e rëndësishme.”

David Raya, portieri i Arsenalit:

“Amosfera në skaudër është shumë e mirë. Mendoj se jemi në momentin tonë ideal. Mënyra sesi luajmë, apo mënyra sesi e përballuam ndeshjen e parë, ishte e jashtëzakonshme për të gjithë. Prandaj, jemi këtu për të bërë historinë tonë, të fitojmë ndeshjen. Kjo është gjëja më e rëndësishme.

Kur fillova të luaja për Arsenalin, ne ishim në Champions League, kështu që unë isha i sigurt se ne do të luanim ndaj skuadrave më të mira në Europë. Dhe nëse dëshiron të fitosh këtë trofe, atëherë duhet të luash ndaj më të mirëve. Ishim të bindur se mund të bënim mirë sezonin e kaluar, ndërsa shpresojmë që këtë sezon do të bëjmë akoma edhe më mirë.

Nuk duhet të mendojmë për tifozët, për atmosferën, apo për stadiumin. Ne thjesht duhet të mendojmë për veten tonë. Duhet të mendojmë për lojën dhe për topin. Të luajmë ashtu siç bëmë ndeshjen e parë, të krijojmë raste dhe të shënojmë gola. Ne jemi këtu thjesht për të shkruar historinë tonë. Mendoj për të fituar ndeshjen për për të shkuar në gjysmëfinale. Kjo është ajo që duam të bëjmë, apo duam të arrijmë.”