Transferimi i miliardave, i shumëpërfolur kohë më parë, i Vinicius Junior drejt Arabisë Saudite nuk do të ndodhë, të paktën për momentin. Sulmuesi brazilian raportohet të ketë gjetur akordin me drejtuesit e Real Madrid për rinovimin e kontratës dhe zyrtarizimi i zgjatjes së marrëveshjes mes tyre do të bëhet vetëm pas përfundimit të sezonit aktual. Ashtu siç e kishte paralajmëruar, Vinicius e ka hedhur poshtë mundësinë e kalimit në Arabinë Saudite, apo edhe tek një klub tjetër, duke u shfaqur besnik ndaj ‘los blancos’. Kontrata aktuale e brazilianit skadon në qershorin e 2027-ës, ndërkohë që raportohet se me marrëveshjen e re, lojtari planifikon të qëndrojë në kryeqytetin spanjoll të paktën deri në qershorin e 2030-ës. Sulmuesi do të përfitojë po ashtu edhe një rritje të ndjeshme të pagës, teksa si për të, edhe për klubin, një nga objektivat do të jetë që të shohin brazilianin të kurorëzohet me ‘Topin e Artë’. Kjo mund të ketë qenë edhe një arsye e rëndësishme që Vinicius nuk e ka marrë në konsideratë kalimin drejt Arabisë Saudite në kushtet aktuale. Duke luajtur me Real Madrid dhe me prezencën e vazhdueshme në ‘Champions League’, shanset që ai të pretendojë ‘Topin e Artë’ janë më të mëdha. Nga ana tjetër, me kontratën e re që supozohet të firmoset në muajin e ardhshëm, klubi provon se Vinicius do të mbetet në qendër të projektit të tyre. Real Madrid e bleu kartonin e Vinicius në verën e 2018-ës, kur pagoi 45 milionë euro tek Flamengo në Brazil. Këtë sezon, 24-vjeçari llogarit 20 gola e 14 asiste në 46 ndeshje të luajtura prej tij në të gjitha kompeticionet, teksa pak kohë më parë, është vlerësuar edhe si një nga lojtarët më të shtrenjtë aktualisht në futbollin europian e jo vetëm.
