Real Madrid, Vinicius Junior mund të rikthehet në Brazil

Sport

vinicius

Situata e Vinicius Junior tashmë kthehet në një çështje te Reali. Gazeta spanjolle Marca raportoi të enjten se Los Blancos mund ta rikthejnë 18-vjecarin në Brazil. Pak muaj më parë ai luante në një stadium legjendar si Maracana, përballë rreth 80 mijë spektatorëve, ndërsa tanimë luan në Segunda Division në impiante të tipit Union Adarve që kanë kapacitet prej vetëm 1 mijë spektatorësh, kjo pasi Lopetegui ende nuk ka një vend për të në skuadrën e parë. Vinicius Junior u lakua që vitin që shkoi si një nga investimet më madhore të Realit për dhjetëvjeçarët e së ardhmes. Los Blancos shpenzuan 45 milionë euro për t’ia rrëmbyer Flamengos. Fillimisht qe parashikuar që ai të lëvizte në Madrid në vitin 2019-të, por në kontratë ishte opsioni që adoleshenti të mund të lëvizte edhe një vit më herët, kjo nëse ai do ta vendoste këtë gjë vetë. Dhe pikërisht kështu ndodhi.

junior

Vinicius kërkoi transferimin gjatë kësaj vere dhe u prezantua nga Florentino Perez si e ardhmja e 13 herë kampionëve të Evropës. Por ja që 3 javë kanë kaluar nga fillimi i La Ligas dhe ai s’është parë as i grumbulluar nga Lopetegui. Presioni është në rritje, por në sfidën derbi të skuadrave “B” me Atleticon, Vinicius shkëlqeu dhe në tribunë ishte i pranishëm edhe trajneri i Realit. Gjithsesi sipas Marcas asgjë s’ka ndryshuar. Vinicius do të vazhdojë të jetë lojtar i skuadrës “B” ndërsa në Brazil mbeten në pritje të një vendimi të tij, pasi në janar ekziston mundësia që ai të lëvizë për një rikthim 6-mujor në vendlindje, të paktën kjo pjesë është në dorën e tij. Mbetet për t’u parë se ç’mund të ndryshojë deri në janar.