Real Madrid vijon rekordin 100% të fitoreve në kampionat. Los Blancos nuk u ndalën as në javën e 5-të, teksa përballë Real Sociedad triumfuan me rezultatin e ngushtë 2-1. Ndonëse e nisën në disavantazh, me miqtë që kaluan në epërsi që në të 5-tën minutë me anë të Ander Barrenetxea, djemtë e drejtuar nga Carlo Ançelotti, e morën kontrollin e lojës, në pjesën e dytë, me golat e shënuar nga Federico Valverde dhe Joselu.
Finalizimi i Valverdes erdhi kur nga rikthimi në fushë, kishin kaluar vetëm 40 sekonda. Në këtë mënyrë, uruguajani ka shënuar golin më të shpejtë të Realit që nga viti 2018-të, atëherë kur Gareth Bale e gjente rrugën e rrjetës vetëm pas 27 sekondash, në atë fitore 4-0 ndaj Alavs në “Santiago Bernabeu”.
Kësisoj, Real Madrid kryeson me pikë të plota, 15, tabelën e klasifikimit, dhe ky është sezoni i dytë radhazi që madrilenët fitojnë të 5-ta ndeshjet e para të edicionit në La Liga. Në vendin e dytë ndjek Barcelona, me dy pikë më pak. Në javën e 5-të, katalanasit çmontuan 5-0 Betisin në shtëpi. Më tej, në këtë raund, ra në sy disfata e Atletico Madrid, që u mposht 3-0 nga Valencia në “Mestalla”.