Real Madrid ka siguruar një lojtar për shumë vite nga e ardhmja. Fjala është për Eduardo Camavingan, mesfushorin, i cili u transferua në “Santiago Bernabeu” në verën e 2021-shit për shifrën e 55 mln eurove.
Kur zbarkoi në Madrid, francezi nënshkroi deri në 2027-tën, mirëpo fundi i aventurës së tij me Los Blancos duket shumë më larg se kaq. Sikurse ka deklaruar vetë agjenti i futbollistit, Jonathan Barnett, dëshira e Camavingas është të qëndrojë gjatë gjithë karrierës së tij në klubin e Real Madrid.
“Të gjithë zërat për një largim të tij drejt Arsenalit në merkaton e janarit, kanë qenë të pavërtetë. Camavinga asnjëherë nuk ka menduar të largohet prej këtu. Ai është e ardhmja e Realit dhe dëshiron të qëndrojë përjetësisht këtu.
Jam i bindur se asnjëherë nuk do të ketë probleme me klubin për çështjen e rinovimit. Do të ulemi dhe jam i sigurt se do të gjejmë shumë lehtë një marrëveshje”, janë fjalët e agjentit Barnett.
Në fakt, në sezonin e tij të dytë në Bernabeu, Camavinga ka arritur që dalëngadalë të fitojë edhe një vend titullari në formacionin e Realit. Përveç kualitetit të tij në mesfushë, trajneri Carlo Ançelotti ka zbuluar edhe një tjetër pikë të fortë të futbollistit, që është roli si një mbrojtës i majtë. Camavinga ka luajtur disa ndeshje në atë pozicion dhe performancat kanë qenë të kënaqshme.
Nisur nga një ecuri e tillë, drejtuesit e klubit, janë të mendimit, që së shpejti, t’i ofrojnë lojtarit një rinovim të kontratës, dhe në brendësi parashikohet gjithashtu edhe një përmirësim i termave financiarë. Ndoshta, gjithçka do të finalizohet në mbyllje të këtij edicioni futbollistik.