Real Madrid rinovon kontratën me një tjetër lojtar

Sport

Eder Militao rinovon kontratën me Real Madrid deri në vitin 2028-të. Braziliani është duke luajtur sezonin e tij të 5 në Santiago Bernabeu dhe duhet theksuar se konsiderohet një ndër lojtarët më të rëndësishëm të organikës së Los Blancos.

Për këtë, mjafton të përmendim këtu, se të paktën në 2 sezonet e fundit, shtatlarti i prapavijës ka qenë një titullar i padiskutueshëm në formacion. E pikërisht për këtë arsye, shtuar edhe këtu faktin që lojtari është vetëm 26 vjeç, Reali e konsideron atë tepër thelbësor edhe për të ardhmen, diçka që vërtetohet nëpërmjet rinovimit të kontratës.

Militao, është thjesht vazhdim i kalvarit të futbollistëve të tjerë të Real Madrid që kanë rinovuar më herët dhe këtu fjala është për Federico Valverde, Edouardo Camavinga, Rodrygo, apo edhe Vinicius Junior.

Militao është pjesë e Real Madrid që prej verës së 2019-tës, atëherë kur për të siguruar shërbimet e tij, klubi kryeqytetas i spanjës, pagoi plot 50 milionë euro në arkat e Portos. Deri më tani, Militao ka luajtur plot 143 ndeshje me fanellën e bardhë. Deri në këtë fazë ka fituar 9 trofe, 1 Champions League, 1 Kupë Bote për Klube, 1 Superkupë Europe, 2 La Liga, 1 Kupë Mbreti dhe 3 Superkupa të Spanjës.