Real Madrid rikthehet tek merkato, gati oferta për Paulo Dybala

Sport

Paulo Dybala mund të largohet nga Juventus. Ylli argjentinas mund të bëjë një lëvizje të papritur gjatë kësaj merkatoje verore, pasi siç raportojnë mediat italiane, për shërbimet e tij është interesuar shumë së fundmi edhe Real Madrid. Eleminimi nga ‘Champions League’-a, ku u mposhtën edhe në ndeshjen e kthimit nga Manchester City 2-1, ka bërë që madrilenët t’i rikthehen merkatos me emra të mëdhenj. Presidenti Florentino Perez duket se e ka bërë zgjedhjen e tij, që pëlqehet edhe nga ana e trajnerit Zinedine Zidane. Por për të shkëputur Dybalan nga Juventusi nuk do të jetë një mision i lehtë. Argjentinasi u shpall së fundmi lojtari i vitit në ‘Serie A’ dhe gëzon mbështetjen e drejtuesve dhe të tifozëve të Juventus. Megjithatë, Dybala nuk e përjashton mundësinë për të nisur një aventurë të re në karrierë, sidomos pas eleminimit të radhës nga ‘Champions League’-a, edhe pse përballë kishin një kundërshtar më të lehtë në letër si Lyon. Sa i përket Real Madrid, ‘los blancos’ janë duke bërë gati ofertën e tyre, që duhet të përmbushë kërkesat prej 100 milioën eurosh që supozohet të kenë drejtuesit e Juventus për kartonin e Paulo Dybalas. Madrilenët janë gati të përfshijnë në këto tratativa edhe njëri mes Isco dhe Toni Kroos. Kartoni i 28-vjeçarit spanjoll vlerësohet në 60 milionë euro dhe largimi nga Real Madrid është një lëvizje e mundur, duke parë që Isco nuk ka patur minutat që dëshiron. Ndërsa Kroos, tanimë 30-vjeçar, vlerësohet në 50 milionë euro dhe për Juventusin do të ishte një përforcim më i mirë, megjithatë gjermani pëlqehet shumë nga trajneri Zidane dhe largimi i tij duket i komplikuar. Nuk duket të jetë problem që Reali të paguajë me para pjesën e mbetur të shumës për Dybalan. Juventus është i prirur për të refuzuar ofertat që mund të vijnë për Paulo Dybalan, megjithatë, largimi i Sarrit mund të bëjë që drejtuesit e torinezëve të kenë një tjetër qasje sa i përket merkatos dhe përgatitjeve për sezonin e ardhshëm, ku në krye të ekipit tani ështe vendosur legjenda e futbollit italian, Andrea Pirlo.